Qeveria shpall konkurs për subvencionimin e faturave të energjisë elektrike
Kryeministri Hristijan Mickoski njoftoi sot se Ministria e Energjetikës, Minierave dhe Burimeve Minerale ka shpallur konkurs publik për familjet që i plotësojnë kushtet për subvencionimin e faturave të energjisë elektrike. Për këtë program janë parashikuar 40 milionë denarë.
“Gjatë periudhave të rregullimit të çmimit të energjisë elektrike, nga kjo Qeveri nuk ka pasur rritje të çmimit për amvisëritë – një gjë që nuk është e zakonshme në vendet fqinje. Në disa vende, energjia elektrike është rritur me 15, 20, madje edhe 30 për qind,” tha Mickoski.
Ai theksoi se, sipas të dhënave të Eurostat dhe parametrave të tjerë, Maqedonia e Veriut renditet ndër vendet evropiane me çmimet më të ulëta të energjisë elektrike për amvisëritë.
Përveç familjeve, për këtë mbështetje financiare mund të aplikojnë edhe personat me pengesa të rënda intelektuale, pengesa të rënda trupore, tërësisht të verbër dhe tërësisht të shurdhër. Programi ofron ndihmë prej 1.000 denarësh në muaj për një periudhë prej 12 muajsh, e cila realizohet përmes uljes direkte të faturave të energjisë elektrike.(INA)








