Trendy

Projekt 12-vjeçar, sërish neglizhohet Biblioteka dhe Teatri i Tetovës

Para 2 muaj

Ministri i Kulturës dhe Turizmit Zoran Lutkov, gjatë seancës parlamentare të llogaridhënies të enjten, duke iu referuar investimeve në kulturë të bëra viteve të fundit ka potencuar zhbllokimin e punimeve për përfundimin e projekteve kapitale në kulturë. Duke numëruar institucionet, punimet për ndërtimin dhe rikonstruktimin e të cilave po zvarriten prej më shumë se një dekade, Lutkov, anashkaloi projektin për ndërtimin e Bibliotekës dhe Teatrit të Tetovës, duke mos e përmendur në asnjë rast, shkruan gazeta KOHA.

“Për shtatë vjet nuk ka pasur investime kapitale në kulturë, ndërsa aktualisht të gjitha institucionet janë “të zhbllokuara”, Teatri Turk në Shkup, Teatri në Kumanovë dhe kinemaja “Partizan” në Manastir, të cilat janë në fazën përfundimtare ose aktive të zbatimit”, ka deklaruar ministri.

Kjo nuk është hera e parë që kreu i MKT shmang ose tregohet i rezervuar në deklarimet publike rreth punimeve për finalizimin e një prej projekteve me kohëzgjatje më të madhe të realizimit. Përfundimi i së cilës varet nga dinamika e pagesave nga MKT, të cilat janë reduktuar drastikisht në buxhetin e vitit të kaluar, por edhe të këtij viti nga ana e MKT. Në buxhetin e 2025 në vend të 300 milionë denarëve të parashikuar MKT akordoi vetëm 15 milionë denarë, 20 fish më pak sesa ishte planifikuar, ndërsa me rebalancimin e buxhetit në muajin qershor, fondi u katandis në vetëm 13 milionë denarë. Edhe për këtë vit MKT me buxhetin e planifikuar ka vënë në dispozicion vetëm 72 milionë denarë, duke ulur pritshmëritë se përfundimi i këtij projekti do të mbyllet së afrimi.

Projekti për ndërtimin e Teatrit dhe Bibliotekës në Tetovë hyri në vitin e 12-të të ndërtimit. Punimet e realizuara mezi e kanë kapërcyer 30 për qindëshin, ndërsa dinamika e punimeve, që kryesisht është në fazën e blerjes së aparaturave dhe pajisjeve teknike varet nga fondi që do të akordohet nga arka e shtetit. Nga ana tjetër ministri Lutkov ka potencuar se që nga viti 2024, buxheti i MKT është rritur çdo vit me të paktën 10 për qind dhe se në të gjitha institucionet kulturore, buxhetet e produksionit janë rritur nga 50 në 100 për qind. (koha.mk)

Trending