Trendy

Prokuroria: Fekale nga kanalizimi janë futur në rrjetin e ujit të pijshëm në Gostivar përmes pompave!

Para 2 javë

Prokuroria Publike pasi sot heshti gjatë gjithë ditës pavarësisht interesit të publikut, mbrëmjen e sotme rreth orës 22 doli me informacione për situatën me epideminë e ndotjes së ujit në Gostivar. Nga aty njoftojnë se kanë filluar hetimet kundër tre zyrtarëve të Ndërmarrjes Publike Komunale ‘Komunalec’ të cilët tani më janë të arrestuar. Ndërkaq, rezultatet e analizave tregojnë se në ujë ka 48 herë më shumë baktere se vlerat e lejuara, shkruan Portalb.mk.

Prokuroria Themelore Publike e Gostivarit mbrëmjen e sotme nxori Urdhër për zhvillimin e procedurës hetimore kundër tre personave për Vepra të rënda kundër mjedisit jetësor dhe natyrës, të shkaktuara me veprime të Ndotjes së ujit për pije.

Të dyshuarit, si bashkëkryerës, në cilësinë e ushtrueses së detyrës së drejtoreshës së NP “Komunalec” – Gostivar, udhëheqësit teknik të Sektorit për punë teknike dhe udhëheqësit të Departamentit për ujësjellës, kanalizim dhe punë ndërtimore në ndërmarrjen publike, me lëndë të dëmshme e kanë bërë të papërdorshëm ujin për pije në hapsirën e tejmbushjes së sistemit që furnizon me ujë Komunën e Gostivarit dhe një pjesë të fshatrave përreth”, informoi Prokuroria.

Nga Prokuroria sqarojnë se tre të dyshuarit, më 25 qershor u kanë dhënë urdhra punonjësve të ndërmarrjes që të vendosin tre pompa zhytëse në një kanal me ujë sipërfaqësor me lëndë të dëmshme, pranë hapsirës së tejmbushjes me ujë të pijshëm, me qëllim që të testojnë presionin e ujit.

Më 16 korrik, gjatë kryerjes së këqyrjes në vendin e ngjarjes, është konstatuar se dy nga pompat zhytëse ende ishin në përdorim dhe përmes gypave shtytës, të vendosur përmes hapjes së tejmbushjes, e transportonin ujin me lëndë të dëmshme – baktere koliforme, nga sistemi i hapur – kanali, në hapsirën ku ndodhet uji nga sistemi i ujit të pijshëm me cilësi të përcaktuar në mënyrë definitive, në sistemin e mbyllur”, thonë nga Prokuroria.

Më tej sqarojnë se në sistem ka ardhur deri te përzierja, përkatësisht transferimi i ujit me lëndë të dëmshme nga kanali në gypin kryesor të furnizimit me ujë.

Me urdhër të prokurorit publik, Instituti për Shëndet Publik ka kryer analiza të mostrave të marra nga uji sipërfaqësor i kanalit të hapur, me ç’rast është konstatuar se uji është shumë i ndotur dhe nuk mund të përdoret për asnjë qëllim për shkak të pranisë së baktereve koliforme prej 2419,6 cfu/100 ml, krahasuar me maksimumin e lejuar prej 50 cfu/100 ml, ndërsa në mostrat e marra nga burimi i kaptuar është konstatuar se uji ka numër të rritur të kolonive bakteriale aerobike mezofile, si dhe prani të baktereve koliforme, ku sipas referencave duhet të ketë 0 cfu/100 ml, ndërsa në ujë janë gjetur 39 cfu/100 ml. Për shkak të ndotjes së lartë, uji është bërë i papërdorshëm dhe nuk është i sigurt për përdorim dhe konsum nga ana e njerëzve.

 

Trending