Shkruan: prof.dr.Izet Zeqiri
Propozim-ligji i ri për arsimin e lartë krijon, pa dashje, pabarësi të reja institucionale dhe trajtim të pabarabartë ndërmjet universiteteve publike, duke prodhuar efekte diskriminuese si në nivel institucional, ashtu edhe në nivel individual të kuadrit akademik. Dispozitat e tij, në vend që të adresojnë dallimet objektive midis universiteteve të themeluara në periudha dhe kushte të ndryshme zhvillimi, vendosin standarde formalisht neutrale, por që në praktikë favorizojnë universitetet me strukturë tashmë të konsoliduar akademike.
Në këtë kontekst, Universiteti “Shën Kirili dhe Metodi” – Shkup (UKIM) dhe Universiteti “Shën Kliment Ohridski” – Manastir (UKLO), me numër dominues të profesorëve të rregullt të avancuar, vendosen në një pozitë dukshëm më të favorshme krahasuar me universitetet më të reja. Universitetet e reja dhe private, për shkak të historikut të shkurtër dhe varësisë nga kuadri i ri akademik, nuk kanë pasur mundësi reale për të ndërtuar një strukturë të balancuar akademike, duke i lënë ato në disavantazh të konsiderueshëm.
Propozim-ligji parashikon gjithashtu forcimin e kritereve për avancim në thirrje akademike, duke kërkuar që kandidatët për thirje – docent, profesor inordinar dhe profesor i rregullt – të kenë publikuar nga 6 deri në 7 punime shkencore, prej të cilave 3 deri në 4 në revista të indeksuara në Web of Science ose Scopus. Edhe pse këto masa synojnë rritjen e konkurrueshmërisë ndërkombëtare dhe përmirësimin e renditjes së universiteteve, ato nuk marrin parasysh realitetin institucional: mungesën e infrastrukturës kërkimore, burimet financiare të kufizuara dhe rrjetet ndërkombëtare të kërkimit në universitetet më të reja. Pa masa mbështetëse ose faza kalimtare, këto standarde bëhen disproporcionale dhe praktikisht të paarritshme, duke krijuar efekt diskriminues dhe duke thelluar hendekun ndërmjet institucioneve.
Analiza e strukturës së kuadrit akademik në universitetet e Maqedonisë së Veriut tregon pabarazi të theksuara, të cilat propozim-ligji i ri nuk i adreson, por përkundrazi i thellon.
Shih tabelën:

Universiteti “Shën Kliment Ohridski” – Manastir (UKLO) ka 180 profesorë të rregullt (74.7%), 39 inordinarë (16.2%) dhe 22 docentë (9.1%), ndërsa Universiteti “Shën Kirili dhe Metodi” – Shkup (UKIM) ka 936 profesorë të rregullt (65.7%), 307 inordinarë (21.5%) dhe 182 docentë (12.8%). Këto struktura të konsoliduara lehtësojnë përmbushjen e kritereve të avancimit dhe publikimeve, duke i vendosur këto universitete në një pozitë shumë më të favorshme krahasuar me universitetet e reja.
Në universitetet më të reja, situata është ndryshe: Universiteti “Goce Dellçev” – Shtip (UGD) ka 179 profesorë të rregullt (46.7%), 111 inordinarë (28.9%) dhe 93 docentë (24.3%), duke treguar një proces konsolidimi, por pa stabilitetin e universiteteve më të vjetra. Universiteti i Tetovës (UT) ka 151 profesorë të rregullt (36.8%), 146 inordinarë (35.6%) dhe 135 docentë (32.9%), një raport thuajse të barabartë që reflekton sfidat e mëdha për konsolidim akademik dhe përvojë të mjaftueshme për të përballuar kriteret e reja ligjore.
Universiteti “Nënë Tereza” ka 16 profesorë të rregullt (22.2%), 32 inordinarë (44.4%) dhe 22 docentë (33.3%). Kjo strukturë tregon një mungesë të stafit të konsoliduar dhe përvojës së gjatë akademike, duke e vendosur universitetin në një pozitë jashtëzakonisht të pafavorshme për të përmbushur kërkesat e ligjit për publikime dhe avancim akademik.
Universitetet tjera, si Universiteti për Shkenca Informatike dhe Teknologji “Shën Apostol Pavle” – Ohër, kanë vetëm 4 profesorë të rregullt (28.6%), 10 inordinarë (71.4%) dhe 4 docentë (28.6%), duke treguar varësi të madhe nga kuadri i ri akademik dhe mungesë stabiliteti. Universiteti Evropian Juglindor (UEJL) – Tetovë ka 60 profesorë të rregullt (57.1%), 20 inordinarë (19%) dhe 29 docentë (27.6%), më i favorshëm krahasuar me universitetet tjera, por ende larg nivelit të konsoliduar të UKIM dhe UKLO.
Për më tepër, ky ligj ka efekte të dukshme edhe në aspektin diskriminues etnik. Universitetet e Tetovës dhe Universiteti “Nënë Tereza”, që shërbejnë komunitete etnike më të vogla, kanë përqindje më të ulët të profesorëve të rregullt dhe varen më shumë nga kuadri i ri akademik. Kriteret e rrepta favorizojnë universitetet me staf të konsoliduar, duke i vendosur këto institucione në një pozicion të thellë disavantazhi dhe duke e bërë diskriminimin efektiv edhe në aspektin etnik.
Propozim-ligji i ri për arsimin e lartë, megjithëse synon të rrisë cilësinë akademike dhe konkurrueshmërinë ndërkombëtare, krijon pabarësi institucionale dhe diskriminim të qartë për universitetet më të reja, ndër të cilat spikat Universiteti “Nënë Tereza”. Struktura e tij akademike tregon një raport të theksuar të profesorëve inordinar dhe docentëve krahasuar me profesorët e rregullt ku ky raport reflekton një mungesë të stafit të konsoliduar dhe përvojës së gjatë akademike, gjë që e vendos universitetin në një pozitë jashtëzakonisht të pafavorshme për të përmbushur kriteret e rrepta të ligjit për publikime shkencore dhe avancim në thirje akademike.
Për më tepër, Universiteti “Nënë Tereza” ka një përqindje të lartë të studentëve dhe rritje çdo vitë të numrit të studentëve dhe stafit që përfaqësojnë komunitete të ndryshme etnike. Kriteret e rrepta të ligjit favorizojnë universitetet me staf të konsoliduar, duke e lënë Universitetin “Nënë Tereza” në një pozicion disavantazhi përballë ligjit.
Në përfundim, propozim-ligji aktual, në vend që të fuqizojë cilësinë dhe konkurrueshmërinë e arsimit të lartë, rrezikon të përforcojë pabarazitë strukturore dhe etnike, duke kufizuar mundësitë e avancimit për universitetet më të reja, private dhe ato që shërbejnë komunitetet minoritare. Një ligj efektiv duhet të përfshijë masa mbështetëse, faza kalimtare dhe standarde proporcionale, duke ruajtur nivelin e lartë akademik, por pa diskriminuar institucionet dhe kuadrin akademik, duke siguruar zhvillim të drejtë dhe të barabartë për të gjithë në arsimin e lartë në vend.










