Punëtorët në Postën e Tetovës çdo muaj pagat i marrin me vonesë. Kjo situatë ka revoltuar mbi 100 punëtorët të cilët thonë se kjo situatë po ndodh tash e gjashtë muaj, prandaj edhe vendosën që të bëjnë grevë. Përfaqësues të Sindikatës së punëtorëve thonë se vonesa e rrogave shkakton shumë probleme, sepse me mospagesën e rrogës nuk kanë as sigurim shëndetësor. Gjendja e këtillë ka bërë që dhjetëra punëtorë të shprehin pakënaqësinë e tyre duke mos pranuar të punojnë.
“Do të vazhdojmë të protestojmë që ta zgjidhim njëherë e përgjithmonë këtë problem, sepse po bëhet një vit që rrogat vonohen. Më herët rrogat i kemi marrë prej më 1 e deri më 5, kurse ja tash është data 20 dhe ende rroga nuk ka. Afati i fundit është 15, kurse çdo vonesë ka bërë që të mos kemi edhe sigurim shëndetësor. Kur nuk ka rrogë, nuk ka as kontribute as sigurim shëndetësor, për atë arsye edhe protestojmë se punëtorët kanë nevojë për kontrolle nëpër spitale”, tha Daut Ramadani, nga Sindikat e Punëtorëve të Postës së Tetovës.
Punëtorët janë shprehur se nevojat janë të mëdha dhe se nuk arrijnë në kohë të paguajnë këstet e kredisë dhe të dhënat tjera si pasojë e vonesës së rrogës. “Ne sot vendosëm të bëjmë protestë për shkak se rrogat nuk jepen në kohë dhe kjo është një ndër arsyet e protestës. Duke pasur parasysh nevojat e punëtorëve të cilët janë të ndryshme, dikush duhet të paguajë banesën, dikush këstin e kredisë, kërkesat e fëmijëve nëpër shkolla e kështu me radhë, sepse mos marrja e rrogës në kohë sjellë shumë probleme pastaj”, thotë një punëtor i Postës së Tetovës.
Në ndërkohë, drejtori i Postës së Tetovës, Muhamed Zilbeari, thotë se i përkrah punëtorët dhe se protesta e tyre është e drejtë dhe legjitime. Sipas tij, përderisa punëtorët punojnë dhe kryejnë obligimet që i kanë, ata edhe duhet të marrin paga në kohë në bazë të marrëveshjes kolektive. “Këta punëtorë e kanë përkrahjen time të pa rezervë në drejtim të sigurimit të rrogave për shkak se të gjithë këta punëtorë apo shumica e tyre prej kësaj rroge mbajnë familje dhe e bëjnë punën me përkushtim. Ata të cilët nuk i respektojnë të drejtat e punëtorëve nuk bëjnë punë të mirë. Unë besoj dhe shpresoj se kjo protestë do të jep rezultate për përmirësimin e kushteve dhe në aspektin e sigurimit të rrogave por edhe në aspektin e përgjithshëm të postës. Sepse, puna e rrogës edhe pse është primare është vetëm një pjesë e kësaj, pjesa tjetër është se punëtorët që janë në protestë punojnë në kushte jashtëzakonisht të vështira dhe në ato kushte ata e japin maksimumin. Pra, maksimumi i tyre duhet të shpërblehet me rrogë e cila u takon edhe me ligj edhe me kontratë të punës”, Muhamed Zilbeari, drejtor i Postës së Tetovës.
Ai më tej është shprehur se pagesa e rrogës tejkalohet nga 5 deri në 7 ditë dhe këta punëtorë kanë të drejtë të protestojnë. (koha.mk)





