Shkruan: Artan H Sulejmani
Protesta e paralajmëruar për 6 prill në Shkup, që në sipërfaqe paraqitet si revoltë studentore për provimin e jurisprudencës, në thelb ngre më shumë pikëpyetje sesa ofron përgjigje.
Nëse kjo është një nismë autentike studentore, atëherë pse në prapavijë shfaqen lidhje të qarta politike? Organizatori i protestës, Mevlan Ademi, prej muajsh është i angazhuar në kabinetin e ambasadorit të Shqipërisë, Denion Mejdani, i cili periudhën e fundit hapur ka proklamuar politikat e BDI-së. Kjo nuk është një detaj i parëndësishëm, është një indikator i qartë se protesta nuk është aq spontane sa pretendohet, por bart një dimension të strukturuar politik.
Ironia bëhet edhe më e thellë kur merret parasysh fakti se problemi që sot përdoret si kauzë proteste është produkt i drejtpërdrejtë i neglizhencës institucionale të ish-ministrave pikërisht nga e njëjta parti. Pra, ata që dje dështuan të adresojnë problemin, sot shfaqen si mbështetës të zëshëm të revoltës kundër pasojave të atij dështimi.
Kjo nuk është thjesht hipokrizi politike — është përpjekje për rikonstruktim të narrativës publike, ku përgjegjësia zhduket dhe zëvendësohet me populizëm.
Pa dyshim, studentët kanë të drejtë legjitime të protestojnë dhe të kërkojnë zgjidhje. Por kur kjo e drejtë instrumentalizohet dhe vendoset në shërbim të agjendave të ngushta partiake, ajo humb esencën e saj. Kauza studentore nuk mund të jetë mbulesë për lojëra politike.
Në momentin kur protesta humb pavarësinë, ajo nuk është më zë i studentëve — por jehonë e interesave që qëndrojnë pas saj. Dhe në vend të një lëvizjeje që kërkon drejtësi, kemi një skenë të njohur: një teatër politik, ku aktorët janë të vjetër, por rolet riciklohen.











