Trendy

Provimi i jurisprodencës, studentët po përgadisin hapat e radhës

Para 1 orë

Pas dy protestave të organizuar nga studentët e tre universiteteve me mësim në gjuhën shqipe në vend, të cilët kërkojnë që provimi i jurisprudencës të mbahet edhe në gjuhën amtare, studentët paralajmërojnë së shpejti një qëndrim të ri lidhur me hapat e ardhshëm për zgjidhjen e kësaj çështjeje.

Sipas njërit prej organizatorëve të protestës, Çlirim Iseni, këshilli organizativ i përbërë nga përfaqësues të tre universiteteve është duke analizuar të gjithë procesin, nga kërkesa e parë e para dy viteve e deri më sot.

Sipas tij, nëse Qeveria dëshiron të përpilojë ligj të mirë atë mund të bëjë, por në ndërkohë të vazhdojë procedimi i ligjeve aktuale, deri në zgjidhjen tjetër ligjore.

“Këshilli ynë organizativ, i cili përbëhet nga tre universitetet shqipfolëse, është duke e analizuar në thellësi gjithë ecurinë e këtij procesi, që nga kërkesa e parë para dy vitesh e deri më sot. Duke marrë parasysh edhe gjithë dinamikën e këtij procesi dhe reagimet e organeve përkatëse për ta zgjidhur këtë çështje, së shpejti do të dalim me një qëndrim para opinionit. Kur jemi te përpilimi i një ligji të ri, ne vlerësojmë se dispozitat ligjore pozitive në fuqi, respektivisht Ligji për Gjuhët, e precizojnë qartë përdorimin e gjuhëve, në rastin konkret përdorimin e shqipes në të gjitha dimensionet pa dallim. Për ne është shumë me rëndësi që ligji të zbatohet sa më shpejt, ndërsa nëse qeveria vlerëson se duhet të sjellë një ligj tjetër më të mirë se ky, atëherë le të vazhdojë procedimin e tij, por pa e penguar zbatimin e ligjit në fuqi”, deklaroi studenti Çlirim Iseni.

Zgjidhje për këtë kërkesë premtoi zëvendëskryeministri Bekim Sali. Ai ditë më parë deklaroi se institucionet janë në fazën e fundit të konsultimeve me ekspertë dhe se shumë shpejt pritet të merret një vendim final. Sali theksoi se që nga fillimi ka ekzistuar vullnet politik për zgjidhjen e këtij problemi, i cili, sipas tij, ka mbetur i hapur për shkak të mosveprimit të strukturave të mëparshme. Ai shtoi se nuk do të zgjidhet vetëm çështja e provimit të jurisprudencës, por edhe shumë tema të tjera të ngjashme.

“Nuk do të jetë vetëm jurisprudenca, do të jenë edhe shum tema të tjera të cilat duam në pako ti zgjidhim njëherë e përgjithmonë dhe mos të shkaktojmë, dhe mos të japim arsye që studentët tanë të kenë paknaqësi ndaj funksionimit të institucioneve dhe trajtimit të tyre nga ana e institucioneve shtetërore”, u shpreh zv/kryeministri Bekim Sali.

Nga ana tjetër, ministri i Drejtësisë, Igor Fillkov, vazhdon ta kundërshtojë mbajtjen e provimit të jurisprudencës në gjuhën shqipe. Sipas tij, provimi zhvillohet në përputhje me ligjet në fuqi dhe standardet profesionale, e jo sipas, siç tha ai, “agjendave ditore politike”. Ministri mbetet në të njëjtin qëndrim, pavarësisht se Inspektorati për Përdorimin për Përdorimin e Gjuhëve i ka tërhequr vërejtjen lidhur me detyrimet ligjore dhe kushtetuese për përdorimin e gjuhëve.

Trending