Donald Trump ka deklaruar se ushtria amerikane ka bombarduar një ishull të vogël në brigjet e Iranit, shtëpia e një terminali të madh nafte që konsiderohet si një nga arteriet kryesore të ekonomisë së vendit.
Presidenti amerikan tha se objektivat ushtarake në ishullin Kharg u “shkatërruan plotësisht”, por SHBA vendosi të mos godasë infrastrukturën e naftës.
Megjithatë, Trump paralajmëroi se mund ta rishqyrtojë këtë vendim nëse Irani ose aktorë të tjerë “bëjnë diçka për të ndërhyrë” në kalimin e sigurt të anijeve përmes Ngushticës së Hormuzit, një nga korridoret detare më të rëndësishme të transportit në botë, që ndodhet në jug të bregdetit iranian.
Nga ana e saj, ushtria iraniane paralajmëroi se infrastruktura e naftës dhe energjisë që u përket kompanive që bashkëpunojnë me SHBA-të do të “shkatërrohet menjëherë” nëse sulmohet infrastruktura energjetike në Kharg.
Ishulli Kharg është një formacion i vogël shkëmbor, rreth 15 milje detare larg bregdetit të Iranit.
Një sulm ushtarak për të shkatërruar infrastrukturën e naftës së ishullit do të ishte jashtëzakonisht i dëmshëm për Iranin, por gjithashtu do të përbënte një përshkallëzim të madh të konfliktit. Një lëvizje e tillë mund të rriste ndjeshëm çmimet globale të naftës dhe ta shtynte Iranin të godiste më shumë infrastrukturë energjetike në Lindjen e Mesme.
Dy javë pas fillimit të luftës, Irani ende ka kapacitet të lëshojë një numër të madh dronësh të fuqishëm me eksploziv kundër vendeve arabe të Gjirit dhe anijeve tregtare. Ai mund të zgjerojë objektivat dhe të godasë infrastrukturë kritike, si impiantet e furnizimit me ujë të pijshëm, që sigurojnë ujë për miliona njerëz.










