Çështja e dhënies së provimit të jurisprudencës në gjuhën shqipe po rikthehet sërish në vëmendjen e opinionit publik, duke hapur debat se pse kjo temë nuk është zgjidhur ndër vite, ndonëse në qeveri kanë qenë disa ministra të drejtësisë nga komuniteti shqiptar, shkruan bulevar.mk, përcjell tetova1
Gjatë 27 viteve të fundit, gjithsej tetë ministra të drejtësisë kanë qenë shqiptarë, të propozuar nga parti të ndryshme politike. Megjithatë, pavarësisht pjesëmarrjes së tyre në ekzekutiv, çështja e përdorimit të gjuhës shqipe në provimin e jurisprudencës ka mbetur e pazgjidhur.
Me përjashtim të Xhevdet Nasufit, i cili ka ushtruar funksionin para nënshkrimit të Marrëveshjes së Ohrit, ministrat e tjerë kanë pasur mundësi ta ngrisin këtë çështje gjatë mandateve të tyre. Mes tyre përmenden Izet Memeti, Ismail Darlishta, Blerim Bexheti, Adnan Jashari, Valdet Xhaferri, Bilen Salihu dhe Krenar Lloga.
Një pjesë e opinionit publik shtrojnë pyetjen pse asnjëri prej tyre nuk ka iniciuar ndryshime konkrete ligjore apo nuk ka marrë përgjegjësi politike, nëse e ka konsideruar si padrejtësi sistemin ekzistues.
Nga ana tjetër, sipas deklaratave të presidentes Gordana Siljanovska-Davkova, kërkesa që provimi i jurisprudencës të jepet ekskluzivisht në gjuhën shqipe bie ndesh me dispozitat kushtetuese dhe me parimet e Marrëveshjes së Ohrit, e cila është pjesë e rendit juridik të shtetit.
Kjo çështje vazhdon të mbetet pjesë e debateve politike dhe juridike, pa një zgjidhje konkrete, ndërsa palët e ndryshme shprehin qëndrime të kundërta rreth kushtetutshmërisë dhe nevojës për një ndryshim të tillë./tetova1.mk










