Shtrenjtimi i transportit ndërurban po bëhet një barrë e re për familjet që varen nga autobusi për punë, studime apo shërbime shëndetësore. Për një familje me të ardhura mesatare, vetëm udhëtimi drejt Shkupit mund të marrë një pjesë të konsiderueshme të buxhetit mujor.
Çmimet e biletave të autobusëve në disa nga linjat kryesore drejt Shkupit janë rritur, ndërsa për qytetarët që udhëtojnë çdo ditë kjo nuk është më një shpenzim i vogël ditor, por një kosto fikse që mund të arrijë në mijëra denarë në muaj.
Nga Kumanova në Shkup, bileta njëdrejtimëshe tani kushton 200 denarë, nga 170 denarë sa ishte më parë, ndërsa bileta mujore kushton 6.000 denarë.
Në linjën Tetovë–Shkup, bileta njëdrejtimëshe është rritur nga 200 në 250 denarë, ndërsa bileta mujore kushton 6.500 denarë.
Nga Velesi në Shkup, bileta mujore kushton 5.500 denarë, ndërsa një drejtim është 200 denarë.
Çmimet ndryshojnë edhe për qytetet e tjera. Nga Bitola në Shkup një drejtim kushton 600 denarë, ndërsa bileta vajtje-ardhje 950 denarë. Nga Ohri një drejtim është 980 denarë, ndërsa vajtje-ardhja 1.380 denarë. Nga Strumica një drejtim kushton 650 denarë.
Nga Kavadari në Shkup një drejtim kushton 450 denarë, vajtje-ardhja 650 denarë, ndërsa bileta mujore arrin në 7.500 denarë.
Nga Shtipi një drejtim është 360 denarë, ndërsa vajtje-ardhja 650 denarë dhe nuk ka biletë mujore. Nga Kërçova, në varësi të transportuesit, një drejtim kushton 480, 530 ose 580 denarë, ndërsa bileta vajtje-ardhje 630, 680 ose 750 denarë.
Sa kushton kjo në të vërtetë për një familje?
Këtu problemi bëhet shumë më serioz.
Nëse një familje nga Kumanova ka dy fëmijë që udhëtojnë çdo ditë në Shkup për studime dhe secili përdor biletë mujore prej 6.000 denarësh, vetëm për dy studentët familja duhet të ndajë:
6.000 + 6.000 = 12.000 denarë në muaj.
Nëse edhe njëri prej prindërve udhëton çdo ditë në Shkup për punë dhe përdor biletë mujore, shpenzimi total arrin në:
18.000 denarë në muaj.
Kjo do të thotë 216.000 denarë në vit vetëm për transport.
Nëse udhëtimi paguhet me bileta të veçanta dhe jo me bileta mujore, shpenzimi është edhe më i lartë. Për një person nga Kumanova që udhëton çdo ditë, dy herë në ditë, për 22 ditë pune, kostoja arrin rreth 8.800 denarë në muaj.
Për Tetovën, me 250 denarë një drejtim, i njëjti udhëtim për 22 ditë pune kushton rreth 11.000 denarë në muaj.











