Ministri i Ekonomisë dhe Punës, Besar Durmishi, ka reaguar ndaj temperaturave ekstreme që kanë përfshirë vendin, duke ngritur shqetësimin për sigurinë e punëtorëve që punojnë në kushte të rënda klimatike.
Përmes një postimi në rrjetet sociale, ai bëri të ditur se ka zhvilluar takim me drejtorin e Inspektoratit Shtetëror të Punës, Gani Maksuti, me qëllim forcimin e kontrolleve në terren dhe mbrojtjen e të drejtave të punëtorëve.
“Si Ministri për Ekonomi dhe Punë, nuk do të lejojmë që punëtori të jetë i ekspozuar ndaj rrezikut”, shkruan Durmishi.
Në bazë të masave të miratuara nga Qeveria në mbledhjen e saj të 95-të, për periudhën 23–26 korrik 2025, punëdhënësit janë të detyruar të lirojnë nga puna gratë shtatzëna dhe personat mbi 60 vjeç, të mundësojnë punë nga distanca, si dhe të zbatojnë orar fleksibil ose me turne të dyfishtë. Gjithashtu, ndalohet puna në ekspozim të drejtpërdrejtë ndaj rrezeve të diellit nga ora 11:00 deri në 17:00.
Plani Aksional për mbrojtje nga valët e të nxehtit (2025–2030) synon të garantojë kushte të sigurta për çdo punëtor. Ministri paralajmëroi masa ligjore ndaj çdo punëdhënësi që shkel këto rekomandime dhe rrezikon shëndetin e të punësuarve.










