Trendy

Punonjësit dalin në protestë – a po shkon drejt falimentimit një nga zinxhirët më të mëdhenj të marketeve në Maqedoni?

Para 8 sekonda

Punonjës të zinxhirit të marketeve Tinex kanë paralajmëruar protestë për shkak të, siç pretendojnë, pagave të papaguara gjatë muajve të fundit. Ndërkohë, në opinion po qarkullojnë gjithnjë e më shpesh informacione për probleme serioze financiare në kompani, shkruan skopjeinfo.mk, përcjell tetova1

Sipas burimeve jozyrtare, kompania po përballet me një situatë të rëndë financiare dhe borxhe të grumbulluara, përfshirë edhe ndaj furnitorëve. Disa burime theksojnë se kjo gjendje mund të jetë pasojë e menaxhimit jo të mirë në periudhën e fundit. Në disa markete, siç raportojnë qytetarët, tashmë vërehen rafte bosh dhe një ofertë e reduktuar produktesh.

Tinex ka qenë një ndër zinxhirët kryesorë të shitjes me pakicë në vend, i cili për më shumë se 32 vite ka synuar t’u ofrojë konsumatorëve produkte dhe shërbime cilësore përmes rrjetit të tij të gjerë, me çmime konkurruese.

Në rrjetet sociale po shpërndahen reagime të shumta nga qytetarët, të cilët flasin për përkeqësim të kushteve në markete. “Në Tinex si në një film post-apokaliptik – rafte bosh, njerëz nuk ka”, thuhet në një nga komentet. Të tjerë përdorues theksojnë se cilësia e shërbimit ka ardhur duke u përkeqësuar prej kohësh.

Deri tani nuk ka një konfirmim zyrtar nga kompania për këto pretendime, as detaje mbi gjendjen e saj financiare. Pasiguria rreth funksionimit të njërit prej zinxhirëve më të mëdhenj të marketeve ngre pikëpyetje për stabilitetin e sektorit dhe për pozitën e punonjësve./tetova1.mk/

Trending