Trendy

Punonjësit e postës në protestë! 60% janë me pagë minimale, e as atë nuk e marrin rregullisht

Para 2 javë

Punonjësit e Postës së Maqedonisë dolën në protestë. Siç thonë ata, pagesa e pagës për muajin dhjetor po vonohet dhe se disa muaj me radhë, pagat u vonohen, përcjell TV21. Sipas tyre, rreth 60% e të punësuarve janë me pagë minimale, ndërsa as atë nuk e marrin rregullisht. Njëkohësisht theksuan se rreth 300 nga të punësuarit janë me kontrata honorare.

Paralajmëruan se do t’i dërgojnë njoftim Bordit Drejtues të Postës se, nëse edhe muajin e ardhshëm paga u vonohet, sërish do ta ndërpresin punën që në datën 15 të muajit. Nga Lidhja e Sindikatave të Maqedonisë apeluan që Qeveria të ndërhyjë dhe gjatë ditës t’u paguhet paga punonjësve, përndryshe ata nuk do të vazhdojnë me punë.

Nga ana tjetër, Posta e Maqedonisë pretendon se paga është e siguruar për të gjithë të punësuarit, duke shtuar se greva është tendencioze dhe e motivuar politikisht.

Në reagimin e saj, Posta e Maqedonisë thotë se Sindikata ka qenë e informuar me kohë se paga është siguruar, por nuk sqarojnë nëse ajo paguhet me kohë apo jo, duke theksuar vetëm se janë në koordinim dhe komunikim të vazhdueshëm me Qeverinë dhe se në vazhdimësi po i tejkalojnë të gjitha problemet që paraqiten gjatë funksionimit të përditshëm.

Trending