Një firmë është kapur në flagrancë duke ushtruar veprimtari të paligjshme postare ndërkombëtare, gjatë një aksioni të përbashkët të realizuar nga Drejtoria Doganore, në bashkëpunim me MPB-në, Drejtorinë e të Ardhurave Publike, Agjencinë e Postave dhe Inspektoratin Shtetëror të Tregut.
Sipas njoftimit zyrtar, firma në fjalë nuk posedonte licencë për kryerjen e shërbimeve postare ndërkombëtare, ndërsa dërgesat i kishte futur në vend përmes pikave kufitare pa i paraqitur pranë organeve doganore, duke anashkaluar procedurat ligjore.
Gjatë kontrollit dhe bastisjes së kryer në hapësirat e kompanisë, janë gjetur dhe konfiskuar 166 dërgesa postare me mallra të ndryshme, me një vlerë totale rreth 240 mijë denarë. Mallrat ishin të depozituara në një magazinë të firmës dhe ishin të destinuara për shpërndarje të mëtejshme, kundrejt pagesës, në mënyrë të kundërligjshme.
Për rastin konkret, autoritetet kanë ngritur kallëzim penal ndaj një personi juridik dhe një personi fizik, për veprat penale që lidhen me kontrabandë dhe mashtrim doganor.
Nga Drejtoria Doganore bëjnë të ditur se kontrollet do të vazhdojnë edhe në periudhën e ardhshme, me qëllim të parandalimit të veprimtarive të paligjshme, mbrojtjes së interesave financiare të shtetit dhe garantimit të konkurrencës së ndershme në treg.










