Presidenti rus Vladimir Putin deklaroi se 100 mijë ushtarë po marrin pjesë në stërvitjet ruso-bjelloruse Zapad-2025, një pjesë e të cilave po zhvillohen pranë kufijve të Bashkimit Evropian dhe po shkaktojnë shqetësim në Kiev dhe BE.
“Stërvitjet po zhvillohen në 41 poligone, me pjesëmarrjen e 100 mijë ushtarëve. Në përdorim janë dhe do të jenë rreth 10 mijë sisteme armatimi dhe pajisje ushtarake”, tha Putin, sipas televizionit shtetëror rus.
Ndërkohë nga sa raporton Reuters, Rusia dhe Bjellorusia po simulojnë lëshimin e armëve bërthamore, taktike ruse, si pjesë e stërvitjeve të përbashkëta ushtarake, deklaroi të martën (16 shtator) presidenti bjellorus Alexander Lukashenko.
Mediat shtetërore cituan shefin e Shtabit të Përgjithshëm bjellorus, sipas të cilit stërvitjet përfshinë edhe raketën hipersonike ruse Oreshnik, të cilën Moska e kishte testuar vitin e kaluar gjatë luftës në Ukrainë.
Rusia dhe Bjellorusia po përmbyllin pesë ditë stërvitjesh të quajtura Zapad (“Perëndimi”), një demonstrim force që – sipas tyre – synon të testojë gatishmërinë luftarake, por që ka shqetësuar disa vende fqinje.
I veshur me uniformë ushtarake, presidenti rus Vladimir Putin u takua të martën me zyrtarë të lartë të ushtrisë në rajonin e Nizhny Novgorod, ku u zhvillua një pjesë e manovrave
. Rreth 100.000 ushtarë dhe afërsisht 10.000 mjete luftarake morën pjesë, bëri të ditur Kremlini në një fjalim të transmetuar nga televizioni shtetëror.
Putin deklaroi se stërvitjet synojnë të garantojnë “mbrojtjen e pakushtëzuar të sovranitetit dhe integritetit territorial të Shtetit të Bashkuar”, duke iu referuar aleancës Rusi–Bjellorusi.
Analistë ushtarakë perëndimorë, të cituar nga Reuters, theksuan se këto manovra – të konceptuara për të trembur Evropën – zhvillohen pak ditë pasi Polonia dhe NATO njoftuan se kishin rrëzuar dronë rusë që shkelën hapësirën ajrore polake.
Bjellorusia, aleate e ngushtë e Moskës që kufizohet me Ukrainën, Rusinë dhe vendet e NATO-s Poloni, Lituani e Letoni, strehon armë bërthamore taktike ruse nën komandën dhe kontrollin e Moskës.
Lukashenko, i cituar nga agjencia shtetërore Belta, tha se ishte e natyrshme që këto armë të përfshiheshin në stërvitjet Zapad.
“Po ushtrohemi për gjithçka. Edhe ata (Perëndimi) e dinë, nuk e fshehim. Nga armët e lehta konvencionale deri te koka bërthamore. Duhet të jemi të aftë t’i përdorim të gjitha.
Përndryshe, pse duhet të ndodhen në territorin bjellorus?”, u shpreh ai, duke shtuar: “Por nuk kemi absolutisht asnjë qëllim të kërcënojmë kënd me to.”
Ministria e Mbrojtjes së Bjellorusisë konfirmoi se gjatë stërvitjeve u simulua përdorimi i armëve bërthamore taktike, si edhe vendosja e raketës balistike me rreze të ndërmjetme Oreshnik, të cilën Moska e përdori për herë të parë kundër Ukrainës më 21 nëntor të vitit të kaluar.
Putin kishte deklaruar në fund të vitit se Rusia mund t’i vendosë raketat Oreshnik – që sipas tij janë të pa-interceptueshme – në territorin bjellorus në gjysmën e dytë të vitit 2025.
Lukashenko, i cili mban kontakte të rregullta me Putinin, i dha leje Moskës të përdorte territorin bjellorus për të hyrë në Ukrainë në shkurt 2022, por nuk angazhoi drejtpërdrejt trupat e tij në luftime.
Ndërkohë, presidenti amerikan Donald Trump ka filluar të zhvillojë marrëdhënie më të afërta me Lukashenkon – prej kohësh i konsideruar i padëshiruar nga Perëndimi – dhe javën e kaluar lehtësoi disa sanksione ndaj Bjellorusisë në këmbim të lirimit të 52 të burgosurve, mes tyre edhe kundërshtarë politikë.
Zyrtarë ushtarakë amerikanë ndoqën nga afër një pjesë të stërvitjes Zapad në Bjellorusi të hënën (15 shtator)
Çfarë përfshijnë stërvitjet Zapad?
Ministria ruse e Mbrojtjes tha të martën se bombarduesit strategjikë rusë Tu-160, të aftë për të mbartur armë bërthamore, simuluan lëshimin e raketave lundruese në Detin Barents, në veri të vendeve nordike.
Bombarduesit qëndruan për rreth katër orë mbi ujërat neutrale, të shoqëruar nga avionë MiG-31.
Veçmas, marina e Flotës së Veriut simulojë mbrojtjen e një gadishulli në rajonin e Murmanskut.
Një video tregonte trupa të mbështetura nga helikopterë sulmues dhe avionë luftarakë, që përdornin mjete të blinduara, dronë, raketahedhës portativë dhe armë automatike për të zmbrapsur armikun imagjinar.
Po ashtu, anije të Flotës së Baltikut, të mbështetura nga avionë luftarakë, lëshuan raketa lundruese kundër objektivave detarë të simuluar, ndërsa lëshuesit tokësorë mobilë të raketave goditën caqe të tjera.
Në enklavën ruse të Kaliningradit, trupat përdorën kompleksin e zbulimit radio Torn-MDM për të identifikuar pozicionet e forcave armike dhe për t’ia transmetuar koordinatat njësive të dronëve dhe artilerisë.










