Trendy
Screenshot

Qamili: Pozita e zëvendëskryetarit është nevojë funksionale për Tetovën, jo shpërblim politik

Para 1 muaj

Zëvendëskryetari i Komunës së Tetovës, Albi Qamili, ka theksuar se funksioni që mban nuk duhet parë si shpërblim politik apo kompromis mes partnerëve qeverisës, por si një nevojë reale dhe funksionale për një qytet kompleks si Tetova.

Duke folur në podcastin T-CAST të Tetova1, Qamili u shpreh se dinamika e qytetit, problemet e shumta infrastrukturore, si dhe nevoja për prani të vazhdueshme institucionale në terren, kërkojnë një nivel më të lartë koordinimi brenda qeverisjes lokale. Sipas tij, pikërisht këtu konsiston roli i zëvendëskryetarit të komunës.

Ai theksoi se kryetari i Komunës së Tetovës ka nevojë për mbështetje të përditshme në menaxhimin e proceseve, në koordinimin ndërmjet drejtorive komunale dhe në zbatimin e politikave lokale, veçanërisht atyre që kanë ndikim të drejtpërdrejtë në jetën e qytetarëve.

“Ky është një pozicion pune dhe përgjegjësie konkrete, që kërkon angazhim të vazhdueshëm dhe prani aktive në terren,” u shpreh Qamili, duke shtuar se zëvendëskryetari duhet të jetë urë lidhëse mes qytetarëve dhe institucionit të komunës.

Sipas tij, funksioni nuk matet me titullin, por me efikasitetin dhe rezultatet që prodhon në praktikë. Qamili theksoi se fokusi i tij do të jetë dëgjimi i drejtpërdrejtë i shqetësimeve të qytetarëve dhe gjetja e zgjidhjeve konkrete në bashkëpunim me strukturat komunale.

Në këtë drejtim, ai theksoi se prania e vazhdueshme mes qytetarëve dhe transparenca në veprim janë parakusht për ndërtimin e besimit në institucionet lokale dhe për përmirësimin e shërbimeve publike në Tetovë.

Trending