Në pyjet e Europës po shfaqet një ndihmës i ri: një robot me katër këmbë, i ngjashëm me një “qen robotik”, që lëviz mes degëve, trungjeve dhe terrenit të vështirë për të krijuar harta 3D të pyjeve. Kjo është pjesë e projektit DigiForest, ku studiues të Universitetit të Oksfordit po testojnë mënyra të reja për të rritur sigurinë në pyje. Profesori i robotikës Maurice Fallon shpjegon se roboti është bërë mjaft i aftë për të ecur në terrene sfiduese. “Roboti që përdorim është me katër këmbë, si një qen robot. Ai mund të ecë nëpër gurë, degë pemësh, duke e bërë të mundur përdorimin e tij në pyje. Me teknologjinë tonë të hartëzimit ndërtojmë rikonstruksione 3D të zonës”, tha Maurice Fallon, profesor i robotikës në Oksford.
Falë lëvizjeve të qëndrueshme, sistemi mbledh të dhëna të detajuara. Roboti përdor sensorë lazer, të njëjtët që shihen në makinat autonome, për të matur distancën drejt çdo peme. Kjo krijon një bazë të dhënash ku regjistrohen diametri, lartësia dhe forma e çdo trungu.
“Mund të hartëzojmë disa hektarë. Nga matjet me lazer rindërtojmë formën cilindrike të trungjeve dhe përfitojmë një bazë të dhënash të pyllit”, shpjegon Fallon. Teknologjia nuk shërben vetëm për të kuptuar gjendjen aktuale të pyjeve. Me matje të përsëritura gjatë stinëve, studiuesit mund të shohin ritmet e rritjes, të identifikojnë pemët me probleme ose zonat që kanë nevojë për ndërhyrje. “Me matje të vazhdueshme mund të shohim rritjen, të identifikojmë problemet ose ku pemët po thahen. Modeli 3D ndihmon edhe në planifikimin e prerjeve për të mbrojtur pyllin nga dëmtimet e erës apo faktorë të tjerë”.

Roboti quhet ANYmal, i prodhuar nga kompania zvicerane ANYbotics, fillimisht për inspektim industrial në uzina, fabrika apo impiante nafte e gazi, por tani po testohet jashtë, në kushte shumë më të paparashikueshme.
“Sfida ka qenë ta përshtatim me mjedisin e pyllit. Duhet të përballojë rrënjë, pengesa, terren të butë apo të pjerrët… njësoj si kur ngjitesh në mal vetë. Kemi përmirësuar ecjen dhe autonominë që të mos humbasë asnjë zonë gjatë skanimit”. Testimet janë zhvilluar në Finlandë, Zvicër dhe në Forest of Dean në Angli, ku ekipet e kanë rikthyer robotin disa herë në të njëjtat vende për të matur ndryshimet. Megjithatë, në industrinë e pylltarisë, pranimi i kësaj teknologjie mbetet sfidë. “Sfida e vërtetë është ndryshimi i mentalitetit. Pajisjet janë të shtrenjta dhe punojnë në zona shumë të largëta“.
Projekti financohet nga programi Horizon Europe, me synimin që deri në vitin 2026 të krijohen mjete të reja që ndihmojnë ekspertët e pyjeve të marrin vendime më të sakta, më të shpejta dhe me ndikim më të vogël në ekosistemet pyjore. Në një kohë kur ndryshimet klimatike dhe shpyllëzimi rrezikojnë ekosistemet e Europës, qeni robotik i DigiForest mund të bëhet aleati i ri i pyjeve.





