Gazetarja e sportit Qeqa Krelani ka komentuar në mënyrë kritike futbollin modern përmes një postimi të gjatë në rrjetet sociale, ku thekson se sot lojtarët dhe trajnerët veprojnë më shumë si pjesë e një skenari të kontrolluar dhe bastesh sesa si pasionistë të sportit, përcjell tetova1
Postimi i plotë i Krelanit:
“Definitivisht futbolli i sotëm nuk është më pasion. Është skenar. Është vetëm menaxhim rezultatesh. Futbolli sot trajtohet si bursë dhe treg financiar, jo si sport.
Liverpooli nuk po humb se është “në krizë”.
Manchester City nuk u rraf nga Bodø/Glimt se futbolli është “i paparashikueshëm”.
Juventusi nuk u mposht nga Cagliari “rastësisht”.
PSG nuk u mposht se ka marrë fund epoka “Dembélé & Enrique”.
Ekipet e forta që sezonin e kaluar u shpallën kampione, po humbin ndeshje qesharake këtë sezon. Pse? Sepse janë të detyruar të i shërbejnë skenarit.
Prej tre muajsh jam në New York dhe po bëj një studim për bastet në futboll. Jo më libra, jo teori, por drejtpërdrejt me shqiptarët e New Yorkut, tifozë të çmendur, njerëz që futbollin e kanë në gjak.
Shqiptarë që s’kanë as diplomë trajneri, as eksperiencë futbollisti, por e dinë saktë kur një ekip duhet të barazojë, kur duhet të fitojë dhe kur duhet të humbë.
Për këtë studim isha dëshmitare e ndeshjes Bournemouth 3–2 Liverpool në një lokal plot me tifozë shqiptarë të Liverpoolit.
Njeri nga Kukësi, tjetri nga Ulqini. Të dy tifozë të Liverpoolit, të dy “ekspertë” të basteve. Dhe të dy më lejuan të studioj mënyrën se si bastoret sot vendosin lojën, jo zemra apo pasioni.
Minuta e 74’ vazhdonte Bournemouth 2–1 Liverpool. Në minutën e 76’, të dy vendosin të luajnë tiketat:
“Liverpool do barazoje.”
“Por ndeshjen në fund e fiton Bournemouth.”
Rezultati? Minuta e 80’ Liverpool barazon 2-
2. Sekondat e fundit të minutave shtesë, Bournemouth shënon dhe fiton 3–2.
Më thanë: “Ti mendon që Liverpool po humb se është i dobët? Në Champions League fitojnë. Në FA Cup fitojnë. Në Premier League, humbjet vijne urdhër nga lartë.”
Në futbollin e sotëm nuk fiton emri. Fiton ai që e di se loja nuk luhet vetëm në fushë, por edhe diku më lart.
Rasti i dytë, ndeshja Bodø/Glimt – Man City. Shqiptarët nuk kishin fokus as ushtrime, syte i kishin te telefonat për tiketa. E kishin luajtur Bodon me fitu!
Eksperienca më ka lëkundur edhe pak dozën e besimit që kisha për futbollin modern.
Sot trajnerët nuk janë më trajnerë, janë administratorë të numrave. Lojtarët nuk janë më heronj, janë aktorë të paguar për skena.
Me përgjegjësi e them: Messi dhe Ronaldo janë raca e fundit që e deshën futbollin për lojën, jo për lekun. Pas tyre, futbolli vdiq. U shit, u bë produkt, dhe produkti nuk ka ndjenja.”, përdundon Krelani./tetova1.mk










