Në Kongresin e V-të të Bashkimit Demokratik për Integrim, të mbajtur sot në Shkup, kryetari i BDI-së, Ali Ahmeti, prezantoi një platformë politike që, sipas tij, synon ta bëjë Maqedoninë e Veriut një shtet funksional, të qëndrueshëm dhe të drejtë për të gjithë qytetarët, duke u mbështetur në frymën dhe parimet e Marrëveshjes Paqësore të Ohrit.
Ahmeti theksoi se shteti unitar nuk mund të mbahet vetëm mbi dominimin e shumicës, por mbi besimin dhe lojalitetin e të gjitha komuniteteve që jetojnë në të.
Në këtë kontekst, ai propozoi tri masa kyçe që, sipas tij, garantojnë përfaqësim të drejtë, barazi funksionale dhe kohezion shoqëror.
Qeveri me legjitimitet të dyfishtë
Si masë të parë, Ahmeti propozoi zgjedhjen e Qeverisë me shumicë të dyfishtë, të ashtuquajturin Badenter ekzekutiv. Sipas këtij modeli, çdo qeveri e re duhet të marrë besimin e Kuvendit jo vetëm me shumicën e deputetëve në përgjithësi, por edhe me shumicën e deputetëve të komuniteteve jo-shumicë.
“Ky mekanizëm siguron legjitimitet të dyfishtë dhe e bën qeverinë realisht përfaqësuese për të gjitha etnitë, duke ruajtur kohezionin ndëretnik në nivelet më të larta të vendimmarrjes,” theksoi Ahmeti.
Badenteri edhe në Gjykatën Kushtetuese
Masa e dytë lidhet me funksionimin e Gjykatës Kushtetuese. Ahmeti propozoi që ligjet e miratuara në Kuvend me shumicë të dyfishtë të mos mund të rrëzohen në Gjykatën Kushtetuese pa një shumicë të dyfishtë edhe në radhët e gjykatësve.
Sipas tij, vendimet që prekin drejtpërdrejt të drejtat e komuniteteve jo-shumicë duhet të merren vetëm me konsensus të ndërsjellë, për të shmangur majorizimin institucional, për të ruajtur integritetin e ligjeve dhe për të rritur besimin e qytetarëve në drejtësi.
Thellim i decentralizimit dhe fuqizim i komunave
Si shtyllë të tretë, kreu i BDI-së kërkoi një fazë të re të decentralizimit funksional dhe fiskal. Ai propozoi transferim të mëtejshëm të kompetencave në arsim, shëndetësi, zhvillim lokal dhe administrim të pasurive publike, si dhe pavarësi më të madhe financiare të komunave përmes një skeme të drejtë të kthimit të tatimeve dhe taksave aty ku ato grumbullohen.
“Qytetarët duhet të kenë qasje më të drejtpërdrejtë në shërbime publike dhe ndikim real në politikat që prekin jetën e tyre të përditshme. Decentralizimi forcon demokracinë lokale, ul ekonominë gri dhe rrit cilësinë e jetës në të gjitha rajonet”, tha Ahmeti. (koha.mk)





