Trendy

Qeveria e Maqedonisë do të marrë hua prej 260 milionë eurosh nga bankat e huaja

Para 1 orë

Qeveria planifikon të marrë hua 260 milionë euro nga bankat e huaja, për të cilat një projektligj i ri ka hyrë në procedurën parlamentare. Projektligji do të miratohet me procedurë të shkurtuar, ndërsa dje deputetët votuan “pro” nevojës për këtë huamarrje, transmeton Portalb.mk.

Zëvendësministri i Financave, Nikolçe Jankullovski, tha se kjo ishte planifikuar më parë, domethënë nuk është për t’u habitur dhe se huamarrja nuk do të ndikojë në vlerësimin e kreditit të vendit.

“Ne do t’i përdorim këto fonde për të financuar nevojat e përgjithshme të buxhetit, për investime kapitale dhe për detyrime të ndërmarra më parë që kjo qeveri duhet t’i rifinancojë pa prishur likuiditetin aktual të buxhetit”, tha Jankullovski.

Sipas tij, huamarrja ka për qëllim ruajtjen e stabilitetit financiar të vendit.

Opozitarja LSDM kërkoi që projektligji të rikthehet në procedurë të rregullt.

Koordinatori i social demokratëve, Oliver Spasovski, tha se ky nuk është një ligj dhe një shumë kaq e vogël sa të mund të kryhet me procedurë të shkurtuar. Një argument tjetër që ai përdori ishte se rregullorja parlamentare parashikon “procedurë urgjente” që shërben për çrregullime të mëdha në ekonomi, etj. Nëse huamarrja është për stabilitet financiar, siç tha zëvendësministri, Spasovski theksoi se atëherë duhet të përdoret instrumenti për një procedurë urgjente, jo procedurë e shkurtuar.

Fillimisht, shteti planifikoi të huazonte 300 milionë, por 40 milionë, tha Jankullovski, do të sigurohen nga fondet evropiane, kështu që shuma përfundimtare është 260 milionë euro.

Është planifikuar që të gjitha paratë të tërhiqen menjëherë – në një këst. Periudha e shlyerjes është shtatë vjet, dhe kredia do të shlyhet në nëntë këste të barabarta gjysmëvjetore me një periudhë mospagimi prej tre vjetësh.

Norma e interesit është e ndryshueshme ose, siç thuhet në projektligj, “përbëhet nga EURIBOR gjashtëmujor i rritur me një diferencë prej 2.10%”.

Kjo kredi dhe kushtet e saj janë një nga tetë ofertat e marra nga qeveria, e cila pretendon se ka zgjedhur atë më të favorshmen.

Arranxhuesi i kësaj huamarrjeje është kompania e menaxhimit të investimeve Merrill Lynch International, e cila operon nën ombrellën e Bank of America. Bankat ose institucionet financiare nga të cilat shteti do të marrë hua janë nga Gjermania, Austria, Spanja dhe Shtetet e Bashkuara, përkatësisht: KfW IPEX-Bank GmbH; Banco Bilbao Vizcaya Argentaria, S.A.; Erste Group Bank AG; AKA Ausfuhrkredit-Gesellschaft mbH.

Trending