Maqedonia e Veriut nuk është e gatshme për ndryshime kushtetuese. Ekziston mungesë besimi dhe kredibiliteti në raport me përmbushjen e detyrimeve ndaj nesh si shtet, prandaj në këtë moment nuk ka kushte për ndryshime kushtetuese dhe Qeveria nuk është e gatshme të ndërmarrë çfarëdo hapi drejt zbatimit të tyre. Këtë e deklaroi ministri i Punëve të Jashtme dhe Tregtisë së Jashtme, Timço Mucunski, duke iu përgjigjur pyetjeve të gazetarëve pas konferencës së përbashkët për shtyp me sekretarin e përgjithshëm të Këshillit të Evropës, Alen Berse, i cili ndodhet në vizitën e tij të parë zyrtare në vend. Përveç ndryshimeve kushtetuese, shefi i diplomacisë tha se Maqedonia e Veriut po ndërmerr masa konkrete që lidhen me perspektivën e saj evropiane.
“E para është ajo që po bëjmë në lidhje me Agjendën e Reformave. E dyta është ajo që po bëjmë në fushën e politikës së përbashkët të jashtme dhe të sigurisë, por edhe më shumë ajo që po bëjmë për zbatimin e vlerave evropiane. Dhe në fund të ditës, përkushtimi objektiv i vendit ndaj vlerave evropiane, të cilat ndonjëherë janë edhe një kontekst më i gjerë sesa zbatimi i politikës së përbashkët të jashtme dhe të sigurisë”, deklaroi Mucunski në konferencën e përbashkët për shtyp me sekretarin e përgjithshëm të Këshillit të Evropës, Alen Berse.
Në kontekstin e marrëdhënieve me Bullgarinë, ministri tha se vendi ka qenë gjithmonë i gatshëm për dialog dhe mbetet i gatshëm edhe tani. Sipas tij, mungesa e vullnetit për një dialog të tillë ka ardhur nga Bullgaria fqinje, përkatësisht nga njëra prej qeverive të mëparshme politike në atë vend.
“Shpresoj se në Sofje ekziston vetëdija se perspektiva evropiane e shtetit tonë është e rëndësishme për të gjithë rajonin. Dhe edhe nëse nuk ekziston një vetëdije e tillë dhe nuk zhvillohet, kjo nuk do të thotë se ne po mendojmë për ndonjë alternativë, por do të vazhdojmë në rrugën e reformave, do të vazhdojmë në rrugën e harmonizimit me politikën e përbashkët të jashtme dhe të sigurisë dhe do të vazhdojmë t’i ndajmë ato vlera evropiane në të cilat beson shumica dërrmuese e qytetarëve tanë”, deklaroi Mucunski, duke theksuar se në këtë kontekst vendi nuk është i gatshëm për ndryshime kushtetuese.
Sekretari i Përgjithshëm i Këshillit të Evropës, Berse, në kuadër të deklaratës për media, shprehu kënaqësi për vizitën dhe bashkëpunimin e deritanishëm, duke theksuar rolin e rëndësishëm të Republikës së Maqedonisë së Veriut në ndërtimin e stabilitetit dhe standardeve demokratike në rajon dhe në Evropë. Bashkëbiseduesit shkëmbyen mendime edhe për çështje që lidhen me rajonin dhe kontekstin më të gjerë evropian, në kushte të sfidave aktuale gjeopolitike dhe pasigurisë në rritje, me theks të veçantë te lufta në Ukrainë, mbështetja dhe solidariteti ynë, si dhe roli i rëndësishëm i Këshillit të Evropës në këtë drejtim. Po ashtu, u shpreh bindja se bashkëpunimi konstruktiv do të vazhdojë edhe gjatë kryesimit tonë gjashtëmujor me Komitetin e Ministrave, i cili fillon në nëntor të vitit të ardhshëm.
LSDM nga ana tjetër akuzon VMRO-DPMNE-në se po vepron në kundërshtim me praktikat dhe modelet të vendeve evropiane. Evropa, sipas social-demokratëve nuk mundet dhe nuk dëshiron të pranojë një grup të organizuar kriminal në sistemin e saj. “Reformat nuk janë kusht teknik, ato janë mburojë kundër hyrjes së krimit, korrupsionit, partizimit të institucioneve, kontrollit të mediave dhe shtetit të kapur në sistemin demokratik ku sundon shteti ligjor, liria e shprehjes dhe liria e mediave. Ndërsa pikërisht ajo që po bëjnë Mickoski dhe VMRO-OKG është në kundërshtim me gjithçka që kërkon Evropa”, theksojnë nga LSDM
Nga VMRO-DPMNE ndërkohë akuzojnë LSDM-në dhe kreun e kësaj partie Venko Filipçe se për hir të pushtetit, do ta ridefinonin historinë dhe identitetin maqedonas. LSDM-ja dhe Filipçe janë të gatshëm që menjëherë të bëjnë një tradhti të re kombëtare, duke nisur me ndryshimet kushtetuese, deklaroi Valentin Manasievski nga VMRO-DPMNE. Ai thotë se autoritetet bullgare e kanë bërë të qartë se ndryshimet kushtetuese nuk janë kushti i fundit që e kanë për hyrjen e Maqedonisë në BE. “Nga njëra anë, LSDM-ja dhe Filipçe thonë se Bullgaria nuk e ka mohuar identitetin maqedonas, ndërsa nga ana tjetër, autoritetet bullgare çdo ditë thonë se kombi maqedonas ekziston që nga viti 1945, se gjuha maqedonase ka rrënjë bullgare dhe se ne jemi një popull në dy shtete. Në fund të fundit, një qëndrim të tillë kishte edhe mentori i Filipçes, Zoran Zaev. Prandaj është e qartë se prej kujt mëson Filipçe”, thotë Manasievski.
LSDM-ja dhe Filipçe, në vend që t’i shërbejnë një shteti tjetër, shtoi ai, i ftojmë të mendojnë të paktën një herë se çfarë po bëjnë dhe sa dëm po i shkaktojnë shtetit, popullit maqedonas dhe të gjithë atyre që kanë dhënë jetën për të. “Për LSDM-në dhe Venko Filipçen nuk janë të rëndësishme interesat kombëtare maqedonase dhe identiteti maqedonas, e as qytetarët. Për ta është me rëndësi vetëm si të arrijnë në pushtet që të mund të vjedhin sa më shumë. Prandaj, ngadalë por sigurt, ata po shndërrohen në një parti margjinale”, thotë Manasievski. (koha.mk)










