Situata me zjarret në vend mbetet alarmante. Është kritike në Pehçevë, ku zjarri ka shpërthyer që nga mbrëmë kur edhe u dogj automjeti i vetëm zjarrfikës në qytet. Që nga mëngjesi i sotëm kanë ndërhyrë dy helikopterë të Ushtrisë. Zjarri në Galiçicë ka qenë aktiv për tetë ditë dhe aktualisht janë aktive gjithsej 10 zjarre në të hapur në të gjithë vendin, ndërsa tre pika të nxehta janë vënë nën kontroll. Vetëm në 24 orët e fundit janë shuar gjithsej 32 zjarre.
“Disa zjarre janë aktive në fshatrat pranë Makedonski Brodit. Në fshatin Negrovë të Komunës së Pehçevës, një pyll po digjet, ndërsa zjarri i Galiçicës përhapet në majë të Magaros drejt Stenjes në anën e Ohrit ku po digjet pylli. Zjarret janë aktive edhe në Komunën e Plasnicës, Negotinës, Kërçovës dhe Novacit”, thonë nga Qendra për Menaxhimin e Krizave.
Nga ana tjetër, derisa ekipet e shpëtimit po luftojnë me zjarrin në terren, në buletinet e policisë shtohen rastet e të arrestuarve për zjarrvënie. Një ditë më parë Prokuroria Publike ka urdhëruar paraburgim tetëditor për tre persona të cilët, duke përdorur karburant, kanë shkaktuar zjarr në fshatin Patishka Rekë të Shkupit. Më parë, që nga fillimi i gushtit, autoritetet policore raportuan katër raste të tjera të ngjashme për njerëzit e ndaluar për ndezjen e qëllimshme të zjarreve. Për veprën penale të “shkaktimit të rrezikut të përgjithshëm” për të cilën akuzohen të ndaluarit për zjarrvënie, Ligji Penal parashikon dënim me burg nga gjashtë muaj deri në pesë vjet./Alsat.mk