Deputeti dhe koordinatori i grupit parlamentar të VLEN-it, Bekim Qoku, ka reaguar me një qëndrim publik duke bërë një krahasim mes zhvillimeve politike në Hungari dhe atyre në Maqedoninë e Veriut gjatë vitit 2024, përcjell tetova1
Në një postim të tij, Qoku thekson se ajo që ndodhi me Peter Magyar në Hungari, sipas tij, ka një analogji të qartë me situatën politike në vend gjatë vitit të kaluar.
Postimi i plotë i Qokut:
“Kurrkush nuk do ta gjykojë Peter Magyarin që braktisi një strukturë të korruptuar e me qëndrime antievropiane të udhëhequr nga politikani autokrat Viktor Orbán.
Kurrkush nuk do ta gjykojë politikanin Magyar që i ktheu shpinën liderit të tij, i cili kishte 16 vite në pushtet, përballej me akuza për korrupsion dhe mbante miqësi e aleanca me autokratë si Vladimir Putin dhe Aleksandar Vučić, duke nisur një betejë kundër tij që në fund edhe e fitoi.
Përkundrazi, Peter Magyar u vlerësua pikërisht për këtë guxim, për këtë betejë dhe për këtë fitore dhe për këtë përmbysje.
Një analogji e ngjashme ndodhi edhe në Maqedonia e Veriut në prill të vitit 2024:
Disa figura politike u larguan nga një strukturë e korruptuar, me njerëz të futur nëpër lista të zeza, që kishin lidhur miqësi me autokratë si puna e Vuçiqit, përkrahën dhe sponsorizuan Ballkanin e Hapur dhe nderonin Lavrovin e Putinit.
Ata që duhen gjykuar janë pikërisht figurat politike që iu bashkuan kësaj strukture, e akuzuar për “epidemi korrupsioni” dhe etiketuar si “kancer i shoqërisë”, përfundon Qoku./tetova1.mk/










