Koordinatori i grupit parlamentar të VLEN dhe deputeti Bekim Qoku ka reaguar lidhur me debatet për ndërtimin e Korridorit VIII, duke theksuar se projekti po realizohet me një dinamikë të paprecedentë dhe duke kritikuar opozitën për mungesë rezultatesh në të kaluarën, përcjell tetova1
Në një postim publik, ai vlerëson se kritikat ndaj këtij projekti nuk mund të merren seriozisht nga struktura politike që, sipas tij, për më shumë se dy dekada në pushtet nuk kanë arritur të ndërtojnë asnjë kilometër autostradë.
Postimi i plotë:
“Sa i përket Korridorit VIII
Nuk mund të merret seriozisht asnjë kritikë për ndërtimin e Korridorit VIII nga struktura politike që, ndonëse ka qenë mbi dy dekada në pushtet, nuk arriti të ndërtojë asnjë kilometër të vetëm autostradë.
Korridori 8 po ndërtohet pikërisht nga kjo qeveri, me një dinamikë të paparë deri më sot. Kjo sepse të gjitha qeveritë e mëparshme kanë dështuar plotësisht në këtë drejtim. Kostoja e projektit pritet t’i kushtojë shtetit rreth 1.4 deri në 1.7 miliardë euro, ndërsa përfundimi i punimeve është planifikuar për vitin 2029.
Opozita ka të drejtë të kritikojë, sepse kjo është në natyrën e saj. Por jo kjo opozitë, e cila nuk ka qenë në gjendje të ndërtojë as edhe një kilometër të vetëm.
Për ne është thelbësore që autostrada të arrijë deri në Trebenishtë dhe Ohër. Kur të mbërrijë aty, mundësitë për ta zgjatur edhe për 20 apo 30 kilometra të tjerë do të jenë gjithmonë të hapura. Por deri në atë pikë, kjo qeveri do ta çojë rrugën me ritëm rekord, duke investuar deri në 1.7 miliardë euro.
Sa i përket argumentit të UNESCO-s, besoj se do të gjenden modalitete për sigurimin e lejeve të nevojshme, ashtu siç janë siguruar për autostradën nga Trebenishta në Ohër, një zonë kjo shumë më afër Liqenit të Ohrit sesa segmenti nga Trebenishta në drejtim të Shqipërisë. E njëjta vlen edhe për Aeroportin e Ohrit, i cili është edhe më pranë liqenit dhe, për interes madhor, UNESCO ka gjetur justifikimin për të dhënë leje.
Në fund, kjo është çështje kohe dhe financash. Por fakti që kjo rrugë ka arritur deri këtu, në vetvete, është një arritje e jashtëzakonshme”, përfundon Qoku./tetova1.mk










