Trendy

Qortim me gjysmë zëri: Mickoski e dënon incidentin, por nuk merr përgjegjësi politike

Para 8 muaj

Pas incidentit të shënuar në ndeshjen e basketbollit mes Maqedonisë së Veriut dhe Rumanisë, ku një grup tifozësh maqedonas në Kumanovë bëri thirrje anti-shqiptare, ka reaguar Kryeministri Hristijan Mickoski.

I pyetur sot nga gazetarët lidhur me këtë ngjarje, Mickoski ka dënuar veprimet nacionaliste dhe ksenofobike, duke theksuar se sporti duhet të mbetet larg urrejtjes dhe politikave ndarëse.

“Organizatorët e ndeshjes – Federata e Basketbollit dhe Komuna e Kumanovës – dënuan thirrjet ksenofobike. Të jem i sinqertë, derisa isha aty, as që i kam vërejtur thirrje, pasi bëhej fjalë për grup të vogël tifozësh. Por dua të bashkangjitem në dënimin e nacionalizmit dhe ksenofobisë, si dhe të bëjë thirrje apel për çdo tifogrup që të mbështesin në mënyrën e duhur ekipet e tyre. Kjo është që e mbështet qeveria, ndërsa e gjithë tjetra do të jetë objekt i hetimeve”, tha Mickoski.

Ai shtoi se veprimet e tilla nuk përfaqësojnë qëndrimin e shumicës së qytetarëve të pranishëm në ndeshje:

“Dënoj thirrjet ksenofobike dhe nacionaliste të disave në ndeshjen Maqedoni – Rumani, thirrje që nuk mori mbështetjen e të pranishmëve tjerë”, theksoi më tej Kryeministri.

Incidenti ka shkaktuar reagime të shumta në opinionin publik, duke rikthyer në qendër të debatit nevojën për parandalimin e gjuhës së urrejtjes në eventet sportive. Autoritetet kanë paralajmëruar hetim për personat përgjegjës dhe ndëshkime në përputhje me ligjin.

Trending