Shtetet e QUINT-it – Shtetet e Bashkuara, Mbretëria e Bashkuar, Gjermania, Franca dhe Italia – kanë përsëritur thirrjen që autorët e sulmit të armatosur në Banjskë të Zveçanit të dalin para drejtësisë, në dyvjetorin e një prej akteve më tronditëse që ka cenuar integritetin territorial dhe sigurinë e vendit që nga lufta e fundit në Kosovë.
E ngarkuara me punë në ambasadën e SHBA-së në Prishtinë, Anu Prattipati, ka nderuar policin e Kosovës, Afrim Bunjaku, i cili u vra më 24 shtator 2023 në krye të detyrës, kurse ambasada e Mbretërisë së Bashkuar ka deklaruar se autorët e krimit, përfshirë përgjegjësin e vetëshpallur, Millan Radoiçiç, të dalë para drejtësisë në Serbi.
Ambasada e Gjermanisë në Prishtinë ka theksuar fakin se Radoiçiçi vazhdon të jetë i lirë në Serbi, duke e cilësuar të papranueshme mosndërmarrjen e veprimeve, pavarësisht garancive të Serbisë se autorët do të mbahen përgjegjës për krimin e tyre.
E thirrje drejtuar Serbisë që autorët e sulmit të përgjigjen para organeve të drejtësisë ka adresuar edhe ambasada franceze dhe ajo italiane, kurse Bashkimi Evropian ka shprehur drojë për raportimet rreth pjesëmarrjes të të dyshuarve në protestat në Serbi.
Ndryshe, sulmi terrorist në veriun e territorit kosovar të banuar me shumicë serbe ka kaluar kufijtë e Kosovës dhe është bërë subjekt diskutimesh në nivel ndërkombëtar, duke u përfshirë në analiza e raporte për sigurinë në rajonin e Ballkanit Perëndimor.
Në këtë kontekst, sulmi i 24 shtatorit përfaqëson një referencë për kuptimin e evoluimit të dhunës dhe të përzierjes së elementeve kriminale me agjendën politike dhe paramilitare në Ballkanin Perëndimor, posaçërisht në dritën e zhvillimeve gjeopolitike.










