Trendy

Qytetarit në RMV i duhen së paku 50 euro për sofrën e Bajramit!

Para 1 orë

Më së paku 50 euro, të duhen për të shtruar sofrën e Bajramit në mënyrë modeste, thotë një qytetar të cilin e takuam duke blerë gjërat e fundit që i mungonin. Thonë se çmimet e produkteve bazë janë gjithnjë në rritje dhe mundohen aq sa munden të pasurojnë sofrën e Fitër Bajramit. Për shkak të çmimeve të larta, më të moshuarit thonë se bakllavanë e bëjnë tradicionalisht në shtëpi.

 “Çmimet katastrofë, janë të papërballueshëm dhe na duken shtrenjtë, me 300 euro pension çfarë të blejmë. Me sa para e bën gati sofrën e Bajramit? Ndër 50 euro nuk mundësh dhe kjo është më së paku. Çfarë mund të blesh me 50 euro? Asgjë hiç, ja një kilogram bonbone dhe aq. E mishi? Kofshë pule vetëm”, tha një qytetar.

”Çmimet! Mos pyet fare. Nuk e di çfarë bëjnë, për festa i rrisin çmimet, kjo nuk është në rregull por çfarë të bëjmë. Varët sa persona janë në sofër, por për katër anëtarë më së paku të duhen 3000 denarë për sofrën e bajramit, edhe pse bakllavanë nëpër fshatra e bëjmë vetë”, thotë qytetarja.

Edhe shitësit ankohen se këtë vit ka pasur më pak shitje se Ramazani i vitit të kaluar.

“Mirë është ky vit por nuk ishte si vitet tjera, ishte më i dobët por në përgjithësi mirë”. “Çmimet këtë vit janë më të larta të disa produkteve por disa ishin të njëjta por edhe pse standardi ka ndryshuar, qytetarët patjetër të marrin si për iftar e ashtu edhe për sofrën e Bajramit”, tha shitësi.

Nga produktet që blejnë më së shumti qytetarët për festen e Fitër Bajramit janë edhe frutat e thata dhe frutat arrore. Rritje të çmimeve në mënyre drastike nga viti i kaluar kishte tek çmimi i lajthive të cilat këtë vit shiteshin për 1500 denarë për kilogram. /Alsat/

Trending