Trendy

Rama dhe Vuçiç morën “JO”: BE refuzon idenë e tyre për hyrje në Shengen

Para 1 orë

Eurokomisionerja për zgjerim, Marta Kos, ka hedhur poshtë idenë e Edi Rama dhe Aleksandar Vuçiç për qasje në zonën Shengen dhe tregun e përbashkët pa anëtarësim të plotë në Bashkimin Evropian, përcjell tetova1

Ajo theksoi se kushtet për hyrje në zonën Shengen dhe në BE janë pothuajse të njëjta dhe kërkojnë zbatimin e reformave serioze dhe të thella, pa hapësirë për kompromise.

“Liderët a e dinë sa duhet të arrijnë për t’u bërë pjesë e Shengenit apo tregut të përbashkët?”, deklaroi Kos, duke nënvizuar se nuk ekziston “rrugë e shkurtër” drejt integrimit evropian.

Ideja e Ramës dhe Vuçiçit u prezantua në një artikull autorial për gazetën gjermane Frankfurter Allgemeine Zeitung, ku ata theksuan ritmin e ngadaltë të integrimit dhe propozuan që vendet e tyre të përfitojnë nga avantazhet ekonomike të BE-së pa pasur të drejtë vendimmarrjeje politike.

Duke folur në një ngjarje të organizuar nga Politico, Kos e cilësoi këtë propozim si të papranueshëm dhe ritheksoi se Bashkimi Evropian do të insistojë në përmbushjen e plotë të kritereve.

Ajo shtoi se edhe në kuadër të modelit të mundshëm të integrimit gradual, reformat mbeten kusht kyç dhe nuk mund të anashkalohen.

Sa i përket zgjerimit, Kos bëri të ditur se po shqyrtohen disa opsione për reformimin e procesit, ku si më realist vlerësohet integrimi gradual, me qëllim shmangien e stagnimit të vendeve kandidate, por pa lëshime nga kriteret e rrepta./tetova1.mk

Trending