Trendy

“Rama ik!”/ Shqiptarët e Italisë në revoltë, protesta kundër qeverisë

Para 2 orë

Dhjetëra shqiptarë të diasporës janë mbledhur në rrugët e Romës, ku kanë zhvilluar një protestë në mbështetje të manifestimeve që po zhvillohen prej ditësh në Shqipëri.

Pamjet e transmetuara nga koordinatori i Partisë Demokratike për Italinë, Bardhok Doda, tregojnë pjesëmarrësit teksa marshojnë dhe shprehin pakënaqësinë e tyre ndaj qeverisë shqiptare.

Gjatë tubimit, protestuesit hodhën akuza të forta ndaj Kryeministrit Edi Rama dhe qeverisë së tij, duke pretenduar se pushteti aktual është i lidhur me krimin dhe se proceset zgjedhore janë deformuar përmes blerjes së votës.

Në fjalimet e mbajtura gjatë protestës, pjesëmarrësit deklaruan se mandatet e fituara nga mazhoranca “u vijnë erë kokainë dhe krim”, ndërsa thirrjet“Rama ik” dhe “Rama jep dorëheqjen”dominuan atmosferën e tubimit.

Përfaqësues të diasporës shqiptare në Itali i bënë gjithashtu thirrje Bashkimit Evropian dhe partnerëve ndërkombëtarë që të mos njohin qeverinë aktuale shqiptare.

Sipas organizatorëve, protesta në Romë synon të shprehë solidaritet me qytetarët që po protestojnë në Tiranë dhe të përcjellë mesazhin se diaspora mbështet kërkesat për ndryshim politik dhe një Shqipëri më demokratike.

Trending