Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, pritet të mbërrijë nesër në Kosovë në një atmosferë të rënduar diplomatike dhe politike. Kjo vizitë vjen vetëm pak ditë pasi Albin Kurti u rikonfirmua në krye të qeverisë “Kurti 3”, një zhvillim që Rama zgjodhi ta kalonte në heshtje të plotë, duke mos dërguar asnjë urim zyrtar për homologun e tij, përcjell INA.
I vetmi zë nga ekzekutivi shqiptar ka qenë ai i Ministres për Evropën dhe Punët e Jashtme, Elisa Spiropali, e cila përmes një postimi në rrjetet sociale uroi konstituimin e institucioneve të reja dhe kabinetin Kurti.
Pikëpyetja më e madhe e kësaj vizite mbetet agjenda e takimeve. Deri më tani, nuk ka asnjë konfirmim zyrtar se do të ketë një takim mes dy kryeministrave, gjë që po interpretohet si një akt i hapur kryeneçësie dhe një dëshmi e ftohjes së thellë mes tyre. Raportohet se Rama do të takojë liderët e partive opozitare dhe personalitete të tjera, por mungesa e një takimi me Kurtin do të shënonte një thyerje të paprecedentë të protokollit vëllazëror.
Për më tepër, vizita e Ramës përkon me përgatitjet për marshin protestues “Drejtësi, jo politikë”, i cili do të mbahet këtë të martë, më 17 shkurt, në mbrojtje të ish-krerëve të UÇK-së. Megjithëse Rama ka qenë një zë i fuqishëm kritik ndaj Gjykatës Speciale dhe prokurorisë në Hagë, ende nuk dihet nëse ai do t’i bashkohet qytetarëve në shesh apo do ta shmangë pjesëmarrjen në këtë protestë që përkon edhe me Ditën e Pavarësisë së Kosovës.(INA)










