Trendy

Rama mbron Ylli Limanin dhe kritikon ‘Flamingot’

Para 2 orë

Kryeministri Edi Rama ka reaguar ashpër ndaj sulmeve dhe thirrjeve për bojkot që, sipas tij, janë drejtuar ndaj këngëtarit Ylli Limani, pas koncertit të tij të fundit, duke i lidhur ato me klimën që po shoqëron protestën e zhvilluar prej ditësh në bulevard kundër projektit turistik në Zvërnec.

Përmes një postimi të gjatë në Facebook, Rama u shpreh se nuk e njeh personalisht artistin dhe as nuk dëgjon muzikën e tij, por e cilëson dhunën online ndaj tij, thirrjet për bojkot dhe kërcënimet pas suksesit të koncertit si “shprehjen më të neveritshme” të një fenomeni që, sipas tij, po shfaqet gjithnjë e më shumë rreth protestës.

“Dhunën online ndaj tij, thirrjet e dhunshme për bojkot të koncertit të tij, kërcënimet pas suksesit të mbrëmshëm të tij, i konsideroj si shprehjen më të neveritshme të një fenomeni që po e shoqëron protestën e bulevardit”, shkruan Rama.

Sipas kryeministrit, protestës po i bashkëngjitet një formë e re presioni publik dhe intimidimi në grup, e cila nuk duhet të justifikohet, relativizohet apo të kalojë në heshtje.

Rama argumenton se po zbehet gradualisht ajo që ai e quan “histeri ndërkombëtare e rrjeteve sociale”, e cila sipas tij nuk ka lidhje as me Shqipërinë, as me Zvërnecin dhe as me flamingot e Nartës, por ushqehet nga përplasje ideologjike globale, veçanërisht nga kundërshtia ndaj Presidentit amerikan Donald Trump.

Sipas tij, interesimi i aktivistëve ndërkombëtarë për çështjen e Zvërnecit nuk lidhet me vetë projektin, por me agjenda më të gjera politike.

Megjithatë, Rama paralajmëron se ndërsa kjo valë ndërkombëtare po bie, në Shqipëri po rritet një fenomen tjetër që ai e cilëson më shqetësues: presioni ndaj kujtdo që nuk rreshtohet me protestuesit.

Ai përmend si shembuj thirrjet publike ndaj qytetarëve që të lënë aktivitetet e tyre të përditshme për t’iu bashkuar protestës, kërkesat për bllokim rrugësh dhe sulmet në mediat sociale ndaj personave që nuk mbështesin lëvizjen.

“Nga thirrjet rrugëve ‘çohuni nga kafja’, tek thirrjet për të bllokuar rrugë e deri tek histeria intimiduese online në emër të atdheut”, shkruan kryeministri.

Në reagimin e tij, Rama bën një krahasim të drejtpërdrejtë me mënyrën se si, sipas tij, kanë lindur historikisht lëvizje intolerante dhe ekstremiste.

Ai argumenton se shumë lëvizje politike nuk kanë nisur duke marrë pushtetin me forcë, por duke pretenduar se vetëm ato përfaqësojnë kombin, vetëm ato dëgjojnë zërin e popullit dhe vetëm ato kanë të drejtën morale të përcaktojnë kush është patriot dhe kush jo.

Kryeministri përmend si shembuj skuadrat fashiste të Benito Musolinit në Itali, militantët nazistë në Gjermani dhe lëvizjen ekstremiste greke Agimi i Artë, duke thënë se të gjitha kanë përdorur presionin shoqëror, frikësimin dhe stigmatizimin e kundërshtarëve përpara se të fitonin ndikim politik.

Sipas Ramës, problemi nuk qëndron te protesta në vetvete, por te tendenca për të etiketuar si tradhtarë, të shitur apo armiq të popullit të gjithë ata që nuk i bashkohen kauzës së protestuesve.

Ai shton se kjo frymë ushqehet nga bindja se një grup i vogël njerëzish zotëron të vërtetën absolute dhe se shumica e qytetarëve duhet të turpërohen ose të detyrohen të zgjedhin anë.

Rama thekson se nuk po i etiketon protestuesit si neo-fashistë, por paralajmëron se praktikat e dhunës verbale dhe të presionit kolektiv kanë ngjashmëri me modele që historia i ka njohur më parë.

Sipas tij, shumica e shqiptarëve nuk janë pjesë e protestës dhe nuk duhet të përballen me sulme për shkak të zgjedhjeve të tyre.

Në vijim, kreu i qeverisë mbron të drejtën kushtetuese për protestë, duke kujtuar se protestat janë respektuar gjatë qeverisjes së Partisë Socialiste, por nënvizon se po aq e rëndësishme është edhe e drejta e qytetarëve për të mos protestuar.

“Kur protesta nxjerr si hije të vetën pretendimin se kush nuk proteston është më pak qytetar, më pak patriot apo më pak shqiptar, atëherë demokracia nuk rrezikohet nga lart, por nga poshtë”, shprehet Rama.

Në përfundim të reagimit të tij, kryeministri paralajmëron se zëvendësimi i dialogut me anatema, i argumentit me sharje dhe i bindjes me frikësim nuk sjell më shumë liri, por cenon vetë demokracinë.

Ai shton se një klimë e tillë dëmton ekonominë, largon investimet dhe mjegullon të ardhmen e vendit, duke theksuar se Shqipëria duhet të vazhdojë rrugën e zhvillimit dhe jo të kthehet pas drejt përçarjes dhe intolerancës politike.

Trending