Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka deklaruar prerë se nuk ka mbajtur asnjëherë pozicion ndërhyrës në skenën politike të Kosovës. Gjatë episodit të radhës në podkastin e tij “Flasim”, Rama u shpreh se respektimi i punëve të brendshme të Kosovës ka qenë parim i tij, ndërsa ka ironizuar përpjekjet e politikanëve kosovarë për të ndikuar në Shqipëri.
“Unë s’kam fare pozicion atje në Kosovë. Unë s’kam dashur kurrë të ndërhyj në punët e tyre. Më është dukur qesharake kur kanë tentuar të ndërhyjnë këtu”, tha Rama, duke shtuar se sipas tij, këto tentativa kanë pushuar pasi palët “e morën mësimin”.
Gjatë bisedës me profesor Arjan Gjonçaj, kreu i qeverisë shqiptare theksoi se përtej raporteve politike, primare mbetet nevoja për të qenë të drejtë dhe autentikë në qëndrimet kombëtare. Kjo deklaratë vjen në një kohë kur marrëdhëniet mes lidershipit në Tiranë dhe Prishtinë janë parë shpesh nën thjerrëzën e debateve për qasjet e ndryshme ndaj proceseve rajonale.











