Kryeministri Edi Rama mbajti një fjalim prej 67 minutash në mbledhjen e zgjeruar të grupit parlamentar socialist dhe ministrave të kabinetit qeveritar.
Ashtu siç edhe pritej, fjalimi i tij ishte i përqendruar te protesta jopartiake që po zhvillohet prej tre javësh në bulevard.
Rama foli për një industri shumë fitimprurëse, atë të algoritmit të ‘like’ dhe ‘follow’ për të bërë më shumë klikime, para dhe pushtet.
“Algoritmi është aty për të shpërblyer konfliktin dhe çdo qenie konfliktuale që i vihet atij në dispozicion. Ai shpërblen indinjatën dhe ai shpërblen edhe frikësimin e të tjerëve, sepse frikësimi prodhon klikime. Klikimet prodhojnë kohë dhe koha prodhon para dhe kështu, për herë të parë në histori, ekonomia e vëmendjes është bërë ekonomi politike. Sa më shumë zemërim, aq më shumë shikueshmëri. Sa më shumë shikueshmëri, aq më shumë ndikim. Sa më shumë ndikim, aq më shumë pushtet. Mbi kë? Mbi skllevërit e algoritmeve, mbi të gjithë ne”, deklaroi Rama.
Fjala e plotë e Kryeministrit Rama:
Prej 20 ditësh Shqipëria u kthye në syrin e një cikloni digjital, një vorbull shumëfish më e madhe sesa vetë përmasa e vendit tonë, e cila përfshiu bashkëqytetarët tanë, të reja, të rinj, familjarë me karroca fëmijësh, patriotë digjitalë, punonjës të mirëpaguar bankash, komediantë të kthyer në kandidatë, delirantë me qeleshe, intelektualë me kapele republike, njerëz nga çdo anë e botës, media sociale e tradicionale nga të gjitha kontinentet, organizata vendase dhe të huaja, parti politike në Europë dhe në Shtetet e Bashkuara, aktorë të biznesit të turizmit në rajon dhe aktorë shtetërorë malinj ndaj Republikës së Shqipërisë.
Natyrisht, edhe karavidhet opozitare të vendit tonë.
Një grumbullim i hatashëm gjërash që as janë njësoj, as janë bashkë, po u mblodhën së bashku në një prurje që nxori në bregun e gjithë këtij oqeani virtual deri dhe dhëmbë të atyre që e kalëruan këtë parti sa mundën dhe, kur ranë nga kali, filluan të gjuanin me këpucët e blera në shoppingjet majë kali. Befas, Zvërneci u bë kërthiza e botës ku po vendosej fati i ngrohjes globale. Bulevardi i Tiranës u bë sheshi Tiananmen, ku qindra mijëra njerëz, sipas vetë senatorit të nderuar Berni Sanders, iu turrën oligarkisë botërore dhe bota shqiptare u njësua me histerinë e kanaleve sociale, duke bashkuar në një armatë të vetme çlirimtare zogjtë më elegantë të botës, flamingot, me fundin e kanalit digjital, bullistët e terrorit online.
Unë e di që mund të zhgënjej shumë këtu brenda me këndvështrimin tim, por e vërteta është që cikloni i këtyre 20 ditëve nuk është interesant për atë që thotë mbi qeverisjen e Shqipërisë sot; është interesant për atë që thotë mbi kohën ku kemi hyrë, botën ku jetojmë dhe sfidat me të cilat do të përballemi gjithnjë e më shumë edhe ne, Partia Socialiste e Shqipërisë.
Nëse kjo histori do të kishte ndodhur 10 vjet më parë, do të kishte mbetur, në rastin më të mirë, një debat shqiptar; pa protestë, do të kishte pasur mbështetës, do të kishte pasur kundërshtarë, do të kishte pasur sherr, por do të kishte mbetur këtu, brenda kufijve tanë, pavarësisht përfshirjes së amerikanëve, izraelitëve apo të dreqit vetë që u përfshi në këtë histori edhe pa qenë fare pjesë.
Ndërsa sot, 10 vjet më pas, brenda 48 orësh, degradimi i dhunshëm i një sherri vulgar mes rojeve të sigurisë private dhe një protestuesi të marrë zvarrë në një lokalitet të Shqipërisë u bë zanafilla e një lufte globale online, ku nuk mbeti logore mediatike e planetit pa shkrehur municionet përkatëse.
Jo sepse bota u zgjua një mëngjes e alarmuar për fatin e flamingove të Nartës dhe natyrës së Shqipërisë, ku deri dje zhvillohej egërsisht dhe qetësisht, nën hundën e pandjeshme të botës, masakra e përgjakshme e shekullit XX mbi shpendët dhe kafshët e gjora që vriteshin për epshin shtazarak të mijëra gjuetarëve të ardhur nga Perëndimi në këtë tokë pa shtet. Të ishte për botën, Narta mund të kthehej qetësisht 10 vjet më parë, kur flamingot nuk shtegtonin më drejt lagunës së saj, sepse i priste plumbi i kafshëve të dehura me dy këmbë. Bota nuk u zgjua prej fatit të Nartës, por prej emrit të Jared Kushner dhe sigurisht prej hijes së vjehrrit të tij, të cilin e urren për vdekje krejt armata globale online, që kujtoi se gjeti në bulevardin e Tiranës Vaterlonë e Donald Trump dhe, si në një film science fiction, bulevardi përputhi atë armatë të frikshme me krejt armatën e urrejtësve shqiptarë off dhe online, jo ndaj Donald Trump-it, por natyrisht ndaj meje dhe jush, të cilët i gënjeu mendja fuqishëm se çadra globale e kësaj proteste do të bënte mrekullinë që nuk e bëri dot çadra lokale e protestës së Lulit tim dhe kështu, me sqepin e një zogu të vetëm, do të laheshin dy hesape të vjetra; bota e madhe do ta turpëronte Trump-in në betejën e Nartës, fiks 2073 vjet pas betejës së Palasës, ku Cezari turpëroi Pompeun, ndërsa armata shurdhuese e influencer-ëve, followers-ave, analistëve, dialistëve, opinionistëve, urrejtësve kinse patriotikë dhe mercenarëve dixhitalë të vënë në dispozicion gojarisht nga armiqtë e Shqipërisë apo nga konkurrentët e saj të egër në industrinë e turizmit, do ta shpëtonte Shqipërinë nga unë, për llogari të karavidheve të opozitës së dukshme dhe të padukshme, nga llapaqorat e ballibullistët te bllok-revolucionarët e aeroportit dhe deri te lugëndryshkurit e vetë familjes sonë të madhe.
Me befasinë e ngjashme me atë të një aksidenti fatal që ndodh sa hap e mbyll sytë kur ti je aty, miliona njerëz që nuk dinë as ku ndodhet Zvërneci dinin saktësisht se çfarë duhet të mendonin për Zvërnecin. Jo sepse studiuan Shqipërinë, jo sepse lexuan dokumentacionin, jo sepse analizuan projektin, por sepse te brishtësia e bukur e një zogu identifikuan simbolin e një rezistence antikapitaliste, antitrumpiste, duke gjetur te ai zog valvulën e shfryrjes së një mllefi total, ku më bukur se asnjëherë u hap edhe një kanal për mllefin kundër meje, kundër jush dhe kundër Partisë Socialiste të Shqipërisë.
Ky është, sipas meje, mësimi i parë i kësaj historie. Kjo kohë e re, ku edhe një rrahje lokale bëhet përplasje globale, nuk transporton më vetëm mallra, dije, mundësi të reja apo miqësi të reja. Transporton zemërime, transporton identitete politike, fetare, sociale, transporton paragjykime, agresione dhe gënjeshtra shumë më shpejt sesa transporton faktet, arsyetimet e lëre më pastaj mirëkuptimet.
Një projekt zhvillimi në Shqipëri u bë brenda pak ditësh pjesë e një lufte ideologjike që nuk ka lidhje me Shqipërinë dhe, në fakt, nuk ka fare për objekt Shqipërinë. Shqipëria u bë zogu, ne u gjendëm në mes të saj, jo si autorë, as si protagonistë, por thjesht si skenë dhe kjo në vetvete është risia e kohës që ne jetojmë, një kohë ku algoritmet udhëtojnë më shpejt sesa vërtetësia e lajmeve, ku emocionet mbërrijnë përpara fakteve dhe ku shumë shpesh perceptimi bëhet e vërteta, ndërsa e vërteta mbetet krejt jetime.
Kjo është një histori paralajmëruese, jo për mandatin tim, as për mandatin e kësaj shumice qeverisëse, por për demokracinë në epokën e algoritmit, si dhe për nevojën që ne të parët, me përgjegjësinë e atyre që kanë mandatin të udhëheqin Shqipërinë, ta lexojmë këtë histori sa më drejt, për të qenë të përgatitur sa më mirë për çfarë vjen më tutje, sepse ky është vetëm fillimi.
Kjo kohë e ka sjellë këtë mekanizëm në jetën tonë dhe, përballë vështirësisë për të parashikuar zhvillimin e këtij mekanizmi, ne mund të bëjmë vetëm atë që bëhet kur, për të kuptuar politikën sot, nganjëherë është mirë të largohesh pak prej saj dhe të hapësh librat e historisë.
Dhe ka shumë nga kjo e sotmja që filozofë, sociologë, psikoanalistë dhe historianë e kanë përshkruar kohë më parë se të vinim ne dhe pas nesh të vinin Facebook-u, Instagram-i dhe TikTok-u, shumë kohë përpara se bota të kishte internet dhe, aspak çuditërisht, ata mund të na ndihmojnë sot të kuptojmë atë që po ndodh shumë më mirë sesa ata që sot na tregojnë gishtin, ndërkohë që gishti tregon hënën.
Njëri prej tyre, që nuk jetoi në epokën e internetit, na ndihmon ta kuptojmë shumë më shpejt sesa çdo përpjekje për ta kapur në çfarë shohim rreth e rrotull mekanizmin që ushqen me kaq sukses histerinë e algoritmeve; shumë kohë përpara ai e ka përshkruar modelin e biznesit të rrjeteve sociale, në një përshkrim që ai e quan “diskursi i histerikut”. Shpesh kjo është keqkuptuar, sikur ai fliste për një tip njeriu. Nuk është kështu, ai nuk përshkruante një njeri, por përshkruante një marrëdhënie, një mënyrë për t’u marrë me autoritetin, një mënyrë për t’u marrë me botën, një mënyrë për t’u marrë me realitetin. Karakteristika e kësaj mënyre nuk është ankesa, ankesa është normale; nuk është kritika, kritika është shumë e nevojshme. Ajo është shpesh motori i përparimit. Karakteristika e saj është diçka krejt tjetër, është momenti kur ankesa pushon së qeni mjet. Dhe kur kritika bëhet identitet, dhe kur njeriu nuk lufton më që problemi të zgjidhet, lufton që problemi të mos mbarojë kurrë, sepse në çastin kur problemi zgjidhet, duhet gjetur menjëherë një problem tjetër.
Dhe ja një shembull shumë i zakonshëm. Në një familje mungon detergjenti, ankesa është krejt e arsyeshme, detergjenti blihet. Por del problemi se nuk është marka e duhur dhe ajo ndërrohet. Pastaj del problemi se u ble me vonesë. Pastaj del problemi se pse u kërkua falje, se nuk kishte pse të kërkohej falje, nëse nuk do të ishte blerë me vonesë dhe nuk do të ishte blerë me vonesë nëse do të ishte marka e duhur. Pastaj vjen ankesa që pse duhet thënë dy herë dhe pastaj pse falja nuk kishte tonin e duhur. Në fund kupton që detergjenti nuk është problemi. Problemi është nevoja që ankesa të vazhdojë, sepse ankesa është bërë identitet. Natyrisht, politika s’është kuzhinë, por mekanizmat njerëzorë nuk ndryshojnë aq shumë dhe as ata politikë jo e jo.
Një pjesë e lëvizjeve politike nuk ndërtohen mbi atë që pjesëmarrësit në to duan të ndërtojnë. Ndërtohen mbi atë që nuk duhet të pushojnë kurrë së kundërshtuari. Objekti ndryshon, mekanizmi mbetet. Sot është një projekt, nesër është një ligj, pasnesër është një ministër, më pas është një kryetar bashkie, pastaj vjen një ambasador, pastaj një kompani, pastaj një aleancë, pastaj një roje apo një polic i dehur, pastaj një zonë e mbrojtur, pastaj del dhe një zog. Nuk ka fare rëndësi objekti, rëndësi ka që motori të mos fiket dhe zhurma e tij të mos pushojë, sepse në çastin kur kundërshtimi pushon, identiteti s’ka më lëndë djegëse. Dhe duhet të jem shumë i qartë këtu. Kjo nuk është një kritikë ndaj kritikës, përkundrazi. Shoqëritë demokratike jetojnë falë kritikës dhe kundërshtisë, qeveritë përmirësohen nga kritika dhe nga kundërshtitë. Unë vetë, ju të gjithë, kemi ndryshuar mendje shpesh për shkak të kundërshtisë edhe si rezultat i kritikës. Problemi fillon në një pikë tjetër; kur objekti i kritikës bëhet më pak i rëndësishëm se vetë nevoja për të bërë kritikë, kur zgjidhja bëhet armiku i kauzës, sepse një problem i zgjidhur nuk gjeneron më zemërim dhe një zemërim që shuhet nuk prodhon më identitet. Dhe është tipike, konkrete, qysh në ditën e dytë: “Nuk duam të dëgjojnë, nuk duan të flasin, nuk ka negociata”. Ky nuk është një fenomen shqiptar, ky është një fenomen politik, universal. Kjo është arsyeja pse një pjesë e intelektualëve të majtë francezë e pritën Fransua Miterrand (François Mitterrand) me një mërzi aq të madhe kur u zgjodh president, sa e trajtuan shumë më armiqësisht kur ai fitoi sesa kur ai ishte në opozitë. Pse? Sepse ëndrra revolucionare, sepse nxitja për të përmbysur gjithçka është gjithmonë më e bukur sesa administrimi. Në opozitë, në kundërshti, dukesh i pastër, dukesh i painteresuar për vete, por i përvuajtur për të tjerët. Në qeveri duhet kompromis, në opozitë historia ecën me kërcime të hatashme përpara. Në qeveri ecën me buxhete, me auditime.
Në opozitë e ndryshon botën edhe me një fjalim dhe njerëzit kënaqen. Në qeveri ndryshon nene dhe lajmet e mira t’i marrin për ofendim.
I vetmi lajm është kur ndokush nuk e voton një nen. Në opozitë mund të premtosh gjithçka dhe nuk mban përgjegjësi për asgjë. Në qeveri duhet të mbledhësh plehrat.
Në opozitë mund të shpëtosh të gjithë zogjtë e botës. Në qeveri do të luftosh me gjahtarët që i vrasin ilegalisht.
Në opozitë mund t’i kthesh të gjitha pronat, në qeveri duhet të bësh çmos që të krijosh kushtet që prona të trajtohet drejtësisht, por njëkohësisht, kur gjithkush të marrë atë që i takon midis tri kategorive të pronarëve që kemi; ata që janë nën, me letra të vjetra; ata që janë mbi, me legalizime ose kërkesa për legalizime; dhe ata që janë mbi të dy, me letrat e kooperativës.
Dhe patjetër, qeveria është burimi më i pasur për të ushqyer zemërim, edhe sikur qeveria të jetë e përsosur, lëre më që nuk ka qeveri të përsosur. Edhe le ta harrojmë që e jona është një qeveri që nuk ka probleme. Por thelbi është që qeverisja është gjithmonë jo poetike, ndërsa opozita, sidomos kur merr trajta revolucionare dhe kërkon që çdo punë të fillojë nga e para, duket tërheqëse. Por në kohën e diskursit të histerikut, ky ishte vetëm një mekanizëm psikologjik; në kohën tonë, tanimë, ne jemi përballë një industrie; një industri që është shumë fitimprurëse. Kush mendon se me “like”-t dhe me “followers”-at e vet bën politikë, ose bën vetëm politikë, bën gabim. Me “followers”-at dhe me “like”-t që ai mbledh, bën shërbimin e atyre oligarkëve më të mëdhenj të planetit, që përmes algoritmit dhe përmes platformave, pasurohen eksponencialisht çdo ditë. Algoritmi nuk shpërblen qetësinë, e varros, sepse qetësia është armik i algoritmit. Algoritmi nuk i shpërblen nuancat, i fsheh, sepse nuancat janë kundërshtare të algoritmit. Algoritmi nuk e do arsyen dhe, prandaj, në të gjitha studimet e bëra, të gjitha postimet në të gjitha platformat që janë të mërzitshme sepse janë të arsyeshme, kanë shpërndarje shumë më të ngadaltë sesa ato që janë tërheqëse sepse janë skandaloze.
Algoritmi është aty për të shpërblyer konfliktin dhe çdo qenie konfliktuale që i vihet atij në dispozicion.
Ai shpërblen indinjatën dhe ai shpërblen edhe frikësimin e të tjerëve, sepse frikësimi prodhon klikime. Klikimet prodhojnë kohë dhe koha prodhon para dhe kështu, për herë të parë në histori, ekonomia e vëmendjes është bërë ekonomi politike. Sa më shumë zemërim, aq më shumë shikueshmëri. Sa më shumë shikueshmëri, aq më shumë ndikim. Sa më shumë ndikim, aq më shumë pushtet. Mbi kë? Mbi skllevërit e algoritmeve, mbi të gjithë ne. Kjo është arsyeja pse sot protestat nuk zhvillohen vetëm në shesh, por ka nevojë për një shesh thjesht si përfaqësim i një lukunie që proteston në algoritëm. Madje, siç ndodhi këto 20 ditë, sheshi është thjesht një studio televizive e algoritmit. Është vendi ku filmohet materiali për ta ushqyer algoritmin dhe për ta justifikuar atë dhe pikërisht këtu fillon sfida më e madhe e demokracive të sotme.
Demokracitë janë ndërtuar për qytetarët, jo për algoritmet. Janë ndërtuar për njerëzit që votojnë, jo për platformat që optimizojnë zemërimin. Kjo është beteja e kohës sonë. S’ka lidhje më me të majtën dhe me të djathtën, me qeverinë dhe me opozitën, por ka lidhje me konfliktin e hapur midis politikës në shërbim të njerëzve, në shërbim të vendit, në shërbim të punës për vendin dhe algoritmit.
Politikën në shërbim të njerëzve, politikën në shërbim të vendit, politikën në shërbim të punës së vendit, algoritmi e urren dhe unë kam frikë se edhe unë që po flas, duke qenë prej vitesh shumë i tërhequr nga zhvillimet e asaj bote, nuk e kuptoj sa e madhe është kjo betejë dhe sa monstruoze ajo mund të bëhet për fëmijët tanë. Kush shkon dhe kërkon një like dhe një follower me zemërim, punon kundër fëmijëve të tij.
Të dashurit e mi,
Çdo epokë prodhon një figurë të saj karakteristike. Unë nuk dua të bëj këtu asgjë përveçse të përcjell disa nga ato që kam mësuar dhe nuk dua që askush ta marrë me të madhe çfarë po them. Po nëse shekulli XIX prodhoi proletariatin industrial, shekulli XX prodhoi shoqërinë e mass media-s. Shekulli XXI po prodhon proletariatin e algoritmit. Një klasë e re që nuk e bashkon puna, e bashkon vëmendja; nuk e bashkon fabrika, e bashkon ekrani i celularit; nuk e bashkon prodhimi, e bashkon shija e konsumimit të vetes dhe të jetës në ekran dhe, mbi të gjitha, e bashkon një iluzion shumë i madh, që sa më shumë të dukesh, aq më shumë autoritet ke.
Unë nuk kam besuar asnjëherë që demokracia është pronë e ekspertëve, e profesorëve apo edhe e politikanëve, sepse është realisht pronë e qytetarëve. Por demokracia nuk ka thënë kurrë se çdo mendim ka të njëjtën peshë mbi çdo çështje. Ajo ka thënë se çdo qytetar ka të drejtën të flasë, por jo se çdo fjali ka të njëjtën vlerë, sepse liria e fjalës në demokracitë funksionale nuk e ka përmbysur kurrë deri më sot ligjin e pashkruar të gravitetit të dijes dhe mbi bazën e dijes së akumuluar për një çështje apo për një tjetër, vendimmarrësit kanë marrë vendime, që nga populli deri tek të zgjedhurit e tij. Demokracia nuk e ka zëvendësuar me diçka tjetër as përvojën, as përgjegjësinë.
Sot, për herë të parë në histori, demokracia po përballet me njeriun që mund të mos ketë ndërtuar kurrë asgjë, që mund të mos ketë asnjë shkollë, që mund të mos ketë asnjë kompetencë për të folur për atë që merr përsipër të flasë, që nuk i ka thënë kush mirëmëngjes, punë e mbarë dhe që nuk ka administruar kurrë asnjë zyrë me tre vetë dhe, megjithatë, ky tip zgjohet në mëngjes me bindjen që e kupton shtetin më mirë se kushdo, edhe pse mund të jetojë në një anë tjetër të globit. Pse? Sepse algoritmi i ka dhënë atij diçka që dikur fitohej vetëm me vite pune: dukjen, vendosjen e vetes në vëmendjen e të tjerëve dhe vendosjen e vetes në vëmendjen e të tjerëve jo me hir, por me pahir. Jo duke bërë ndonjë propozim për atdheun, por duke thirrur vdekje të tradhtarëve të atdheut dhe, në kohën tonë, kjo dukje ngatërrohet çdo ditë e më shumë me autoritetin dhe kjo është një tragjedi e vogël e qytetërimit tonë.
Autoriteti nuk është më ai që e shohin më shumë njerëz.
Autoriteti është ai që mban më shumë përgjegjësi, por algoritmi nuk njeh përgjegjësi. Ai njeh vetëm vëmendje. Ai nuk pyet kush ka ndërtuar, por pyet kush e ndaloi gishtin mbi ekran kur ky budallallëk u shfaq dhe pastaj ti nuk je më i pavarur. Ti kujton se je i pavarur, je i pavarur në raport me ata që kërcënon se nuk kanë çfarë të bëjnë, ndërkohë ti je thjesht një skllav i algoritmit që, duke të shtuar vëmendjen, të nxit që ti të bëhesh më kërcënues dhe nuk ka pikë rëndësie nëse ajo që thuhet është e vërtetë. Nuk ka pikë rëndësie nëse ajo që shpërndahet është e dobishme. Lëre më pastaj të ketë ndonjë rëndësi nëse është e drejtë apo është e padrejtë. Mjafton të jetë e fortë, mjafton të jetë tronditëse, mjafton të jetë zemëruese, mjafton të jetë skandaloze.
Prandaj jetojmë në një kohë kur britma udhëton shumë herë më shpejt se argumenti. Kur shpifja, jo vetëm udhëton shumë më shpejt se përgënjeshtrimi, por ndërkohë që ti je përpjekur të bësh përgënjeshtrimin, tre shpifje të tjera të kanë parakaluar. Është një garë komplet e pamundur. Emocioni mbërrin shumë më shpejt sesa arsyeja dhe pastaj merr peng followers-at dhe like-at dhe nuk i lë të shohin arsyet, por thjesht i nxit të përqafojnë emocionin dhe pikërisht në këtë klimë ndodh edhe diçka tjetër.
Sa herë që krijohet një krizë, sado e vogël, shpërthen një ekzaltim kolektiv; pa pritur, të gjithë ndjejnë nevojë të bëhen pjesë e saj. Jo domosdoshmërisht se kanë diçka për të thënë.
Jo domosdoshmërisht se kanë lidhje me arsyen pse ekzaltimi shpërtheu, por për faktin se është krijuar një skenë për t’u dukur dhe për të mbledhur me babëzi, babëzinë që algoritmi ta nxit njësoj si droga që nxit dikë të rrisë dozën: like-t, followers-at.
Sa herë e keni dëgjuar gjatë gjithë këtyre ditëve nga njerëz që kurrë në jetën e tyre as nuk e kanë imagjinuar që të përzihen me politikë e me protesta, por janë bërë parelinj me shalë edhe me kremra që të shfaqen atje bashkë me shalët dhe kremrat e tyre, sepse është trendi.
Kanë frikë të mbeten jashtë valës, sepse në ekonominë e vëmendjes heshtja nuk shpërblehet. Shpërblehet vetëm pjesëmarrja. Shpërblehet vetëm ai që ka kurajën të hyjë në garë, shpërblehet ai që bën videon më dramatike. Nuk ka pikë rëndësie nëse protesta zhvillohet në një bregdet të Spanjës, mjafton që ti t’i vendosësh shenjën Tiranës. Tirana s’ka as det, por kjo nuk ka pikë rëndësie, dhe të vendosësh aty një turmë që diçka thotë në spanjisht, por me titra lexohet “vdekja e Izraelit”.
Ai që do të bëjë postimin më të fortë, ai që do të shpallë katastrofën më të afërt, ai që do të lajmërojë ndëshkimin më të egër, ai që do të parashikojë fundin më spektakolar të kujtdo qoftë që është përballë, ai shpërblehet nga algoritmi dhe një protestë nuk është më protestë, është skenë, është treg, një treg emocionesh, klikimesh, një treg morali, madje edhe një treg karrierash.
Po në të gjithë këtë, ata të karrierave janë më qesharakët. Janë qesharakë sepse nuk e kanë marrë vesh akoma që me Partinë Socialiste dhe me ne nuk fitohet duke dalë me lugën e ndryshkur në tregun e karrierave të humbura.
Dhe patjetër që algoritmi e ka të domosdoshme të shfaqë edhe profetët që lajmërojnë fundin e botës, analistët që bëjnë analiza pa fakte, strategët që nuk dinë se ç’është të bësh një strategji sektoriale, revolucionarët që ushqehen me ëndrrën e revolucionit, por që s’kanë lidhje me revolucionin, patriotët që nuk ia kanë haberin punës dhe kronikanët e kudondodhur, njerëz që s’kanë ndërtuar kurrë asgjë dhe që, po t’i vësh të masin një tavolinë, ngatërrojnë gjerësinë me gjatësinë, sepse për ta nuk ka rëndësi se çfarë ndërtohet, si ndërtohet. Për ta ka rëndësi vetëm çfarë duhet shembur dhe si ta shembim. Sepse vetëm mbi rrënojat e punës së të tjerëve ata mund të ngrihen në piedestalin e madhështisë së tyre në skenën virtuale, ku marrin like-t, marrin followers, marrin urimet, marrin përgëzimet, marrin inkurajimet dhe për ta çdo incident është një revolucion.
Sa vjet kemi, sa vjet kemi që i dëgjojmë paralajmëruesit e stuhive të ardhshme për fundin e kësaj force politike në qeveri dhe çdo protestë është një rast për përmbysje, jo për temën. Një protestë për temën është gjëja më legjitime dhe, në momentin kur ti je gati t’i ofrosh bashkëpunim për të trajtuar temën dhe je gati të ofrosh diskutim për të kuptuar se si mund të adresohet tema më mirë, askush nuk paraqitet, sepse të jesh pjesë e cunamit është shumë më e rëndësishme se të jesh pjesë e zgjidhjes për temën dhe çdo ditë është dita e një gjykimi të madh.
Dhe humbja e sensit të realitetit bën papritur që nga të katër anët të dalin të gjitha llojet e krijesave që deri në atë moment kanë qenë nëpër cepat e tyre dhe të kërkojnë diçka.
Secili kërkon diçka. Diçka për të cilën mund të ketë të drejtë. Diçka për të cilën mund të mos ketë të drejtë, por të cilën e kërkon pikërisht përmes asaj vale çmendurie, duke ushqyer algoritmin dhe duke ushqyer faktikisht të kundërtën e asaj për të cilën pretendon se është atje.
Dhe për t’i dhënë të gjithë kësaj një kuptim atdhetar, një pathos revolucionar, një parafytyrim epik, aty në sheshin televiziv të algoritmit fillon refreni: “Edi Rama ka mbaruar, ka mbaruar, ka mbaruar”.
Mirëpo puna është që ikën mbrëmja dhe vjen mëngjesi. Aty s’ka njeri, sepse sheshi i xhirimeve hapet në mbrëmje. Ndërkohë që unë jam këtu, ne jemi këtu. E nesërmja vjen, pastaj vjen një mbrëmje tjetër dhe një e nesërme tjetër. Vitet ikin, profecia vazhdon, sepse edhe po s’u bë e vërtetë, bëhet virale. Dhe ja ku jemi sot.
Për dekada me radhë kemi luftuar për lirinë e shprehjes, me të drejtë. Pa të s’ka demokraci, pa të s’ka opozitë, pa të nuk ka qytetarë të lirë, por ka vetëm një ferr social. Po ndërkohë, pothuajse pa e kuptuar, kemi hyrë në një ferr tjetër social, në një epokë ku problemi nuk u bë mungesa e lirisë së shprehjes. Problemi është pakufishmëria e lirisë së shpërndarjes, jo të së vërtetës, por të gënjeshtrës, sepse sot s’ka më nevojë të censurosh faktet. Mjafton t’i mbysësh. Nuk ka nevojë t’i ndalosh. Mjafton t’i fundosësh në një oqean trillimesh dhe, me të drejtën që të jep zemërimi ndaj një roje sigurie që të zvarrit një protestues, të krijosh një ciklon për të kërkuar vdekjen e të gjithë tradhtarëve.
Në fund, ç’rëndësi ka nëse një fakt është i lirë të flasë, kur është i rrethuar nga një milion gënjeshtra? Kush dëgjohet më shumë nëse ti je aty i lirë të thuash të vërtetën dhe, ndërkohë, një kor bërtet një gënjeshtër në çdo fjalë që ti thua? Dhe kjo është një situatë e re e kohës sonë, ku fakti dhe gënjeshtra janë thjesht dhe vetëm dy njësi të mënyrës se si funksionon algoritmi, që nuk pyet kush ka të drejtë, por pyet vetëm kush e merr peng më gjatë vëmendjen dhe atij i jep shtysë, tjetrit i ul shpërndarjen.
Dhe kjo është arsyeja pse sot sfida e demokracisë nuk është vetëm të mbrojë lirinë e fjalës, është të mbrojë lirinë e fakteve, ta mbrojë lirinë e fakteve duke insistuar që faktet të dëgjohen. Sepse nëse fakti humbet aftësinë të depërtojë në një hapësirë publike, e vërteta nuk është më e lirë dhe liria e shprehjes është vetëm teori. Është si t’i japësh dikujt të drejtën të flasë në mes të një stadiumi, ku 100 mijë altoparlantë dhe, më keq akoma, çfarë kemi parë këto ditë lidhur me ata që nuk kanë ndarë të njëjtin mendim me sheshin e xhirimeve, është e frikshme; dhunim i vazhdueshëm online, kërcënime. Unë i kam të panumërta ankesat e njerëzve që, pasi kanë mbyllur profilet e tyre, i kanë marrë kërcënimet në telefonat e tyre dhe, natyrisht, ia kam përcjellë policisë. Por edhe policia çfarë do të bëjë me mesazhe që vijnë nga lloj-lloj drejtimesh të paditura?
Sfida më e madhe e kohës që jetuam ishte liria e shprehjes. Sfida më e madhe e kësaj kohe është liria e fakteve, sepse demokracitë nuk rrezikohen vetëm nga ata që ndalojnë të vërtetën të flasë; rrezikohen nga ata që e mbysin në një lumë të pafund gënjeshtrash.
Shikojeni Fatos Lubonjën. E kam sjellë në këtë mes, si emër edhe një herë tjetër pas shumë e shumë vitesh që Fatos Lubonja, me të njëjtën pafytyrësi të atyre që mbronin gënjeshtrën që atë e mbajti në burg dhe i kërkonin llogari për gjëra që s’i kishte bërë, duke i prezantuar dëshmitarë të rremë dhe duke i ngritur akuza haluçinante, kërkon llogari nga unë për Arubën.
Fatos Lubonja! Aruba!
“Edi Rama – thotë – duhet të japë llogari për Arubën”.
Unë di që në të gjithë historinë e njerëzimit, që kur janë vendosur rregullat e qytetërimit romak, llogaria jepet mbi bazën e fakteve dhe kurrë nuk i takon atij që akuzohet të provojë që ai nuk është ai për të cilin akuzohet.
Çfarë vlere ka që unë të them: “Nuk kam qenë kurrë në Aruba, nuk e di fare për çfarë bëhet fjalë se ka ndodhur në Aruba, nuk kam kërkuar kurrë njeri të shkojë në Aruba”? S’ka asnjë vlerë fare, sepse ndërkohë Aruba është bërë e vërtetë. Është nxjerrë në këtë fushën e algoritmit, është ricikluar në pafundësi dhe është bërë e vërtetë, siç është bërë e vërtetë që unë jam një “konsumator kokaine”. Kjo është bërë e vërtetë. Por fjala “drogaxhi”, “ik, mor drogaxhi”, “o drogaxhi”, është një refren që mua më ndjek si një “e vërtetë”, siç është “e vërtetë” që unë kam akuzuar tim atë për marrëdhënie me time shoqe dhe për atësinë e djalit tim. Është “e vërtetë”. Është bërë e vërtetë, çfarëdo që të them unë. Nuk kanë pasur asnjë rëndësi të gjitha letrat që kanë dalë më parë, se si është bërë gjyqi etj. Nuk kanë fare.
Algoritmi këtë gjë e ka bërë përfundimisht të vërtetë, siç është bërë “e vërtetë” që unë jam një “kusar” që marr pjesën time nga çdo gjë që ndodh në Republikën e Shqipërisë. Është bërë e vërtetë! Çfarë rëndësie ka se çfarë them unë? Natyrisht që për këtë arsye unë nuk e them këtë gjë rregullisht, se s’ka asnjë vlerë. Janë bërë të gjitha të vërteta, sepse nuk jemi më në një marrëdhënie sociale, politike, demokratike. Jemi në një laborator, në një laborator ku, në kohë reale, algoritmi, viraliteti, simbolika dhe gënjeshtra prodhojnë një realitet paralel që, shumë, shumë më shpejt sesa faktet gjejnë rrugën e tyre, është bërë e vërteta dhe faktet janë përpjekje të dëshpëruara për të mohuar të vërtetën.
Atëherë çfarë mbetet për t’u bërë? Ajo që mbetet për t’u bërë, të dashur, është që ne të refuzojmë të ndjekim çdo dallgë; është që ne të qeverisim Shqipërinë sipas kontratës që kemi me popullin shqiptar dhe jo sipas algoritmit. Të bëjmë atë që është shumë e vështirë, në fakt, por që është e vetmja gjë që ne mund të bëjmë: të vazhdojmë përpara, të vazhdojmë të dëgjojmë, patjetër të dëgjojmë. Askush nuk mund ta thotë, unë jo e jo, që nuk ka shumë të vërteta në ato që thuhen lidhur me çfarë nuk shkon, lidhur me çfarë duhet bërë më mirë, lidhur me si njerëzit duhet të shërbehen më mirë, etj., etj., por zgjedhja jonë është e detyruar, nuk është një zgjedhje që është njëra nga disa zgjedhjet. Zgjedhja jonë është të bëjmë çmos që njerëzve t’u japim lajmin e mirë. Cili është lajmi? Jo propaganda, lajmi i mirë. Kemi një problem me shërbimet. Kemi patjetër një problem me shërbimet, por ama sot janë mbi 3 milionë shqiptarë, brenda e jashtë vendit, që 95% të shërbimeve i marrin nga celulari, pa takuar asnjëri dhe pa pasur nevojë të fusin mik askënd. 95%!
Kemi te ky 5%-shi një problem real, serioz, dramatik, po të doni, në momente të caktuara, për njerëz që kanë nevojë për legalizime, për njerëz që kanë nevojë për një autorizim, etj., patjetër, por ama nëse ne e marrim të mirëqenë që njerëzit të cilët janë nën “bombardimin” e përditshëm të algoritmit i dinë ato që janë bërë, atëherë ne marrim të mirëqenë që njerëzit kujtojnë se ne dimë çfarë bëjmë. Kjo nuk është e vërtetë. Të vazhdojmë të korrigjojmë gabimet tona, pa diskutim. Është gjëja që jemi përpjekur të bëjmë gjithmonë, është gjëja që do të përpiqemi të bëjmë, do të vazhdojmë të mësojmë, të mësojmë shumë nga njëri-tjetri, patjetër. Të mësojmë me njëri-tjetrin ne të tjerët, aty ku mundemi, dhe të mësojmë nga të tjerët gjithmonë.
Por ne kemi një detyrë që nuk e ka askush tjetër. Gjithë këta të tjerët nuk e kanë këtë detyrë. Ne kemi detyrën të ndërtojmë; shteti nuk ndërtohet duke bërë luftë nëpër kanalet e algoritmeve, në emër të përmirësimit. Shteti ndërtohet, në radhë të parë, duke mos e humbur drejtimin e historisë. Dhe kam pasur shumë mesazhe, nuk e di se për çfarë arsye, si, qysh, tek, mund ta kem lënë edhe përshtypjen që më ka shkuar ndër mend që unë të jap dorëheqjen. Kam pasur shumë mesazhe. Dhe gjithmonë e më shumë, sepse gjithmonë e më shumë njerëz ftillohen, gjithmonë e më shumë njerëz shohin që e gjitha kjo është diçka që nuk rri; që nuk rri as në qiell e as në tokë.
Nuk mundet dot asnjë shqiptar i arsyeshëm, edhe sikur kurrë të mos na ketë votuar, kurrë të mos na votojë, që të pranojë që Tirana të bëhet një territor sfilate për një turmë që shkon të bllokojë aeroportin. Nuk e pranon dot më askush këtë. Është e pamundur dhe, natyrisht, tërheqja pak e nga pak e atyre që shkuan atje për të dalë në skenë dhe mbetja e një grupi ku ka një përzierje të hatashme, është një përzierje, siç e thonë këta “patriotët digjitalë”, mbarëkombëtare. Vijnë njerëz nga Kosova, vijnë njerëz nga Maqedonia, vijnë njerëz nga territore të tjera për të “shpëtuar” Shqipërinë, në emër të shqiptarëve. Ulërijnë të mblidhet këtu kombi, ndërkohë që njerëzit që funksionojnë me arsye, edhe ata të bankave, të mirëpaguarit, të paguarit me meritën e tyre, e kuptojnë shumë mirë që këtu ka diçka që nuk shkon fare dhe s’i kam dhënë përgjigje kujt, sepse më është dukur si…, por kur ka momente të tilla kam shumë kënaqësi të kujtoj një hollësi te Homeri, ku Odiseu afrohet pranë sirenave dhe refuzon që të mos i dëgjojë. Përkundrazi, ai insiston që t’i dëgjojë, sepse vetëm ai që i dëgjon kupton se sa i madh është tundimi në një mënyrë ose në një tjetër. Por ai bën dhe një gjë tjetër. Lidhet shumë fort pas direkut të anijes. Jo se s’ka besim tek vetja, por sepse ai nuk e negocion destinacionin dhe atë që vetja, në një dehje të vetme, mund t’ia bëjë duke e hedhur në ujë pas sirenave, ai e ndalon me litarët që lidhin veten te direku, sepse ai e di që çdo gjë mund të ndodhë, por qëllimi është ç’ka e ka çuar deri aty dhe ç’ka e çon deri në fund dhe unë mendoj që kjo e Odiseut është metafora më e jashtëzakonshme e lidershipit dhe e qeverisjes.
Një qeveri nuk ka të drejtë t’i mbyllë veshët. Përkundrazi, një qeveri duhet të dëgjojë. Një qeveri duhet ta dëgjojë dhe, patjetër, një grup parlamentar, flas për një grup qeverisës, duhet ta dëgjojë edhe gjithçka që thuhet në atë sheshin e xhirimeve, pra algoritmin, dhe nga diskutimet e para është shumë e qartë që janë dëgjuar. Duhet të dëgjojë kritikën dhe zemërimin. Nuk është e mundur që një qeveri ta skualifikojë duke ia hedhur të gjithë fajin algoritmit. Nuk është ky rasti. Por ka një gjë që një qeveri nuk mund ta bëjë kurrë nëse është aty me një destinacion. Një qeveri nuk e dorëzon kurrë timonin te zhurma. Një grup udhëheqës nuk i jepet zhurmës dhe sa më shumë zhurma zmadhohet, aq më shumë një grup udhëheqës forcon identitetin e vet, duke bashkuar të gjithë në emër të destinacionit.
Nuk ndërtohet një shtet si ai që ne po ndërtojmë dhe nuk çohet deri në fund një mision historik si ky që na ra ne ta mbartim për ta bërë Shqipërinë vend anëtar të Bashkimit Europian, duke i dhënë Shqipërisë momentin e dytë më të madh historik pas Lidhjes së Prizrenit, nëse qeveria e tij, grupi i tij udhëheqës, merr drejtim nga fryn era dhe sugjestionohet nga zhurmat, sugjestionohet nga erërat, sugjestionohet nga sirenat, sugjestionohet nga dallgët, me çdo çmim. Një grup udhëheqës që ka një mision shkon deri në fund kundër të gjitha llojeve të parashikimeve dhe jo më pastaj kur parashikimet i ka me vete, si në rastin tonë.
Unë jam shumë aktiv në rrjetet sociale, e kam ndarë me ju disa herë, e ndaj dhe me ata që janë më aktivë këtu, që një nga gjërat që unë pres me shumë dëshirë të më vijë kur unë të mos jem më në këtë detyrë është që të mos kem më nevojë t’i trokas algoritmit. Por unë nuk besoj kurrë që aty, te pasqyra e Facebook-ut, e Instagram-it dhe te komentet, unë i marr, m’i sjellin, i marr, i lexoj, mundohem të kuptoj, por kurrë nuk besoj që unë mund të drejtohem prej zhurmës, prej erës dhe prej dallgëve që mund të ngrihen aty.
Më kanë sugjeruar më të urtët, në kuptimin e mençurisë se unë, “lëri, mos fol, rri, dëgjo se atje”… Si atje? Ku atje? Unë mund të ndihem përgjegjës për shumë gjëra që duhet të shkojnë më mirë. Po unë dhe ju, Partia Socialiste, të ndihemi me faj se vetëm fajtorët nuk flasin, të ndiejmë faj pse mblidhet jo ajo turmë, po pse mblidhet planeti, po të dojë, që të na tregojë dhe të na imponohet në pikën që të na detyrojë që ne të pranojmë të jemi skllevër të algoritmit edhe si forcë politike, kjo nuk është e mundur të ndodhë dhe nuk ka për të ndodhur, sepse kjo është tradhtia e vërtetë, nëse mund të flasim për tradhti këtu në këtë mes.
Prandaj, unë besoj te politika që zgjohet, jeton dhe shkon të flejë me njerëzit realë, jo me profilet falso të ballibullistëve. Ballibullistët kanë sasinë më të madhe të profileve falso dhe të ndjekësve të blerë dhe ju duhen, ndërsa në të gjithë ndjekësit e faqes time nuk mund të gjendet dot një i blerë, një i vetëm i blerë. Blihen ndjekësit, blihen sa të duash, ka, paguan, por një i vetëm s’më është dashur kurrë dhe s’më duhet. Ne na duhen ata që nuk jetojnë tek ajo. Na duhen ata që nuk maten me sa ndjekës kanë. Ata janë forca jonë. Ata që bëjnë që Shqipëria sot të ketë parametrat më të mirë që ka pasur ndonjëherë në çdo aspekt.
Jo më të mirat e mundshme, por më të mirët që ka pasur ndonjëherë. Ata që bëjnë që Shqipëria sot të jetë një vend ku, këtë vit, bizneset e vogla të hapura deri tani që flasim janë numri më i madh i bizneseve të reja të krijuara në të njëjtën periudhë në vitet e mëparshme. Ata patjetër shohin, patjetër bien edhe pre në një moment, por ata duan të dinë të tjera gjëra dhe neve mund të na bëhen shumë leksione, por të na bëhet neve leksion për pensionet, të na bëhet neve leksion për universitetet…
U ngrit diaspora. U ngrit diaspora. U mblodhën profesorët, ou. Ka një element që e hoqa sepse u bëheshin shumë. Por ka një element tjetër që e tregon historia dhe që na e tregojnë ata që kanë menduar për si zhvillohet bota përpara se të vinte interneti e të tjerë.
Ky element quhet pakënaqësia e pritshmërive. Pakënaqësia e pritshmërive është shprehja më kuptimplotë e një vendi që ka dalë nga një fazë dhe ka hyrë në një fazë të re, një vendi ku pritshmëritë janë shumë më të larta dhe ku pakënaqësia e pritshme është diçka jo e lehtë për t’u administruar dhe ajo që na takon është që ne të vazhdojmë.
Planet tona janë në tryezë. Unë e di, ka edhe intelektualë të familjes sonë politike që thonë: “Kjo karta e BE-së është kartë e lodhur. Është edhe një çikë si shprehje e faktit që edhe Edi Rama sikur nuk ka më… një çikë e lodhur kjo karta e BE-së… duhet… ka diçka që…”
Të gjithë këta që kanë studiuar “kartat e mia” me kaq pasion i keni atje te sheshi i xhirimit. Kështu që kush nuk do të shkojë te sheshi i xhirimit, se do të ketë shumë shesh xhirimi kjo kohë, të rrijë këtu në PS dhe të shikojë mirë që unë nuk kam kartat e mia.
Karta e BE-së është karta e historisë së Shqipërisë dhe karta e BE-së ka brenda të gjitha gjërat për të cilat flasin edhe ata që janë aty në protestë për arsye genuine, që ishin. S’ka më aty për arsye genuine. Ata që ishin aty për arsye genuine nuk janë më aty dhe ne nuk jemi këtu për të fituar numrin e klikimeve të ditës.
Ne jemi këtu për të fituar Shqipërinë 2030 në BE.
Ah, është edhe një thirrje për një marrëveshje të re, për një Shqipëri të re. Dhe kam parë që ka edhe shpirtra të humbur këtu në familjen tonë politike që duan një Shqipëri të re. Fair enough. Mezi pres që të na e sjellin draftin e Shqipërisë së re të shkruar dhe patjetër jemi gati të bëjmë një marrëveshje të re për një Shqipëri të re, por kam frikë se drafti nuk do të vijë kurrë, sepse Shqipëria e re është njësoj si të gjitha siluetat e flamingove, njërën prej të cilave e mbante Fatos Lubonja.
Fatosi poshtë e flamingot lart…
Shqipëria e re!
Do të kritikohemi, do të sulmohemi, por ne kemi detyrimin të mos zgjedhim rrugën më të lehtë, të mos zgjedhim rrugën e zgjidhjeve të përkohshme që na lehtësojnë nga një presion, të mos zgjedhim kurrë të jemi popullorë në një moment kur duhet të jemi të përgjegjshëm, sepse unë, të paktën, ka shumë kohë që nuk ndihem i zgjedhur për të qenë i pëlqyer. Më ka ikur ajo dëshirë për të qenë i pëlqyer.
Qesh Erjoni se e di, më ka njohur në atë kohë. Edhe kopertinën e “Zërit të Popullit”, kur unë u zgjodha, e bëri me një kujdes të veçantë që unë të ndihesha i pëlqyer. Vuri një portret shumë larg realitetit, por nuk jemi këtu për të qenë të pëlqyer, jemi për të qenë të dobishëm dhe këtu ka një ndryshim shumë të madh midis të qenit i pëlqyer dhe të qenit i dobishëm. Sa janë të pëlqyer sot në rrjetet sociale dhe janë krejt të padobishëm; kurrë mos u bëfshim si ata.
Prandaj Shqipëria është e gjitha sot në duart tona, jo në këmbët e atyre që bëjnë xhiro. Nuk është një hashtag Shqipëria. Shqipëria nuk është një flamingo që merret zvarrë për t’u dukur bukur. Shqipëria është një vend që sot është në një luftë të madhe me vetveten dhe BE-ja është “Itaka” jonë.
Le të këndojnë sirenat, atë punë kanë. Ne kemi punë tjetër. Unë bashkë me ju. Ne kemi detyrë ta çojmë Shqipërinë te ai breg me çdo kusht dhe mos u çudisni fare që në këtë rrugë do të kemi shumë të tjerë që do të na dalin anash, mbrapa, përballë, se kjo nuk është punë agjenturash, në kuptimin klasik. Nuk jemi te “Fijet që priten”. Ne kemi fakte sa të duash.
Jemi në një kohë kur, falë algoritmit dhe botës pa kufij, vijnë “mercenarët digjitalë” edhe nga vende që ti nuk e mendon se ishe shënjestër e tyre, për arsye nga më të ndryshmet. Të sponsorizuar nga shteti janë të identifikuar ata që vijnë nga Irani. Të tjerët kanë lloj-lloj sponsorësh, por ne nuk kemi punë me asnjë prej tyre në kuptimin që të intimidohemi apo që të kompleksohemi, apo që të përdredhemi, kështu që kjo është rruga më e vështirë dhe, pikërisht sepse është rruga më e vështirë, është rruga ime, e juaja, e jona, e Partisë Socialiste të Shqipërisë.
Faleminderit!










