Miratimi i raportit të Parlamentit Evropian për Maqedoninë e Veriut ka hapur një cikël të ri përplasjesh të brendshme politike, këtë herë rreth një çështjeje që ngjall emocione të forta kolektive – gjuha dhe identiteti maqedonas. Amendamentet e propozuara nga eurodeputetët bullgarë, të cilat çuan në heqjen e referencave për identitetin dhe gjuhën maqedonase nga dokumenti përfundimtar, kanë krijuar një valë akuzash dhe kundërakuzash mes pushtetit dhe opozitës.
Në qendër të kritikave qëndron perceptimi se vendi ka humbur pozicionin e vet strategjik dhe është ekspozuar ndaj goditjeve diplomatike për shkak të dështimeve të politikës së jashtme, shkruan tetova1.
“Vendimi i Parlamentit Evropian dhe miratimi i raportit është rezultat i devijimit nga pozicionet strategjike të shtetit dhe i keqpërdorimit të çështjeve të gjuhës dhe identitetit nga Qeveria për fushatën e saj politike. Po ashtu, është pasojë e improvizimeve diplomatike dhe neglizhencës totale të Qeverisë për ruajtjen e pozicionit ndërkombëtar të shtetit”, deklaroi kryetari i LSDM-së, Venko Filipçe, duke marrë një qëndrim të qartë kritik ndaj qeverisë aktuale.
Megjithatë, Filipçe nuk e mohoi nevojën për një qasje më të bashkuar:
“E pranoj thirrjen e kryeministrit Mickoski për unitet në zgjidhjen e këtyre çështjeve.”
Për kritikët e tjerë, problemi shkon përtej qeverisë aktuale. Fronti Evropian, nëpërmjet ministrit Bexheti, e lidh krizën me mungesën e legjitimitetit etnik të pushtetit:
“Ne duam që ky proces evropian të vazhdojë dhe jemi të gatshëm të kontribuojmë, por që të japim një kontribut më të thellë, duhet një hapje reale këtu në vend për të ecur të gjithë së bashku në rrugën që na pret,” tha ai, duke sinjalizuar nevojën për riformulim të brendshëm institucional.
Nga ana tjetër, kryeministri Hristijan Mickoski kundërshton me gjuhë të ashpër akuzat ndaj qeverisë së tij, duke i rikthyer në fokus vendimet e mëhershme të opozitës së tanishme:
“Njerëzit që shisnin gjithçka që kishte lidhje me identitetin – nga flamuri te emri – nuk kanë asnjë kredibilitet për të gjykuar. Çfarë ka bërë kjo Qeveri? U përpoq të rikthente një pjesë të humbur dhe pjesërisht ja arritëm.”
Ndërsa polarizimi vazhdon, Maksim Dimitrievski nga ZNAM tenton të ofrojë një rrugë mes bashkimit dhe reagimit institucional:
“Do t’i mposhtim këto politika shkatërrimtare të së kaluarës, do ta dëshmojmë të vërtetën tonë para botës. Prandaj, së bashku me kolegët e mi, pa motiv politik, bëj thirrje për bashkim kombëtar dhe nënshkrim të një platforme dhe deklarate të përbashkët nga të gjitha subjektet politike në Maqedoni, për të treguar unitet të përgjithshëm.”
Pavarësisht tentativave për qetësim, miratimi i raportit pa përmendjen e gjuhës dhe identitetit maqedonas, mbetet një goditje simbolike dhe politike për vendin. Për një pjesë të opinionit publik dhe skenës politike, ky është një “alarm për zgjuarsinë diplomatike”, ndërsa për të tjerët është “pasqyrë e realitetit të brishtë ndërkombëtar ku vendi ndodhet pa strategji të qartë dhe pa aleatë të besueshëm”.
Në thelb, ajo që është hequr nga një tekst, po përshkruhet me zë të lartë në skenën politike – dhe rrugëtimi evropian i Maqedonisë, në vend që të bashkojë, vazhdon të thellojë hendekun midis palëve.










