Trendy

Raporti i PE për Maqedoninë: Shqetësim për ndikimin rus, kinez, serb dhe hungarez në vend

Para 9 muaj

Raportuesi i Parlamentit Evropian për Maqedoninë e Veriut, Tomas Vajc, në raportin që do të shqyrtohet në seancën plenare më 8 korrik, shpreh shqetësim për ndikimin e fuqishëm të Serbisë dhe Hungarisë, të cilat sipas tij avancojnë ndikimin rus dhe kinez në vend. Ky ndikim bëhet përmes diplomacisë, mediave, kredive dhe investimeve me klauzola shtrënguese për Maqedoninë e Veriut.

Vajc përmend se disa përfaqësues të qeverisë po promovojnë konceptin e “botës serbe”, një ideologji nacionaliste që rrezikon sovranitetin e shteteve në rajon dhe synon të rrisë influencën e Beogradit zyrtar. Sipas tij, Rusia ka përdorur media serbe për të përhapur narrativë armiqësore ndaj NATO-s, duke akuzuar Bashkimin Evropian se i bën presion Maqedonisë që të braktisë identitetin e saj. Ndërkohë, diplomatët kinezë kanë financuar propagandë në mediat maqedonase.

Hungaria përmendet gjithashtu si aktor kyç në fushatat dezinformuese dhe kërcënimet hibride, duke përfshirë edhe korrupsion strategjik. Vajc vëren se Maqedonia ka marrë kredi prej 500 milionë eurosh nga Hungaria, me origjinë parash që dyshohet të jenë kineze.

Profesori i të drejtës ndërkombëtare, Mersel Bilalli, vlerëson se raporti është një paralajmërim i butë nga Parlamenti Evropian dhe shpreh bindjen se qëllimet destabilizuese të Moskës nuk do të jenë afatgjata. Ai thekson se ndikimi rus është shumë i fuqishëm, ndërsa ai kinez më i kufizuar, por se agjenda destabilizuese në Ballkan të Putinit nuk ka arritur të realizohet.

Në raport, Vajc kërkon gjithashtu hapjen e arkivave të shërbimeve sekrete jugosllave UDBA dhe KOS, të cilat ruhen në Maqedoninë e Veriut dhe Serbi, si hap i rëndësishëm për transparencë dhe drejtësi në rajon.

Trending