Trendy

Rasti “Llaskarca” kthehet në rigjykim, familjarët me reagim të ashpër

Para 1 orë

Familjarët e viktimave dhe të lënduarve në tragjedinë e Llaskarcës kanë reaguar ashpër pas vendimit të Gjykatës Supreme për ta shfuqizuar aktgjykimin e Gjykatës së Apelit dhe për ta kthyer lëndën në rivendosje.

Në reagimin e tyre, të mbështetur me nënshkrime, familjarët thonë se ky vendim ua rikthen traumat e rënda që i kanë përjetuar gjatë viteve pas tragjedisë.

“Tragjedia nuk përfundoi ditën kur ndodhi aksidenti. Ajo la pasoja të rënda dhe afatgjata psikologjike e shëndetësore për familjet. Fatkeqësisht, disa nga prindërit që humbën fëmijët e tyre nuk e pritën drejtësinë që e kërkuan me vite”, thuhet në reagim.

Familjarët theksojnë se asnjë vendim gjyqësor nuk mund t’ua kthejë të afërmit, por, sipas tyre, drejtësia është minimumi që shteti ua ka borxh viktimave, të lënduarve dhe familjeve të tyre.

Ata kërkojnë që përgjegjësia të përcaktohet në bazë të fakteve dhe provave të paraqitura gjatë procesit gjyqësor, pa zvarritje të mëtejshme.

“Ligji duhet të vlejë njësoj për të gjithë, ndërsa drejtësia duhet të jetë e arritshme për çdo qytetar”, porositën familjarët.

Trending