Trendy

Reagim i familjes së dëshmorit Hajredin Arifi nga Sellca

Para 1 orë

Me dhimbje të madhe dhe me zemër të rënduar po detyrohemi të reagojmë si familje e dëshmorit të parë të fshatit Sellcë, Hajredin Arifi.

Lufta e vitit 2001 nuk është një ceremoni formale dhe as një manifestim për fotografi. Ajo është histori e shkruar me gjakun e bijve tanë, me sakrificën e atyre që lanë familjet, shtëpitë dhe jetën e tyre për lirinë që gëzojmë sot.

Pikërisht për këtë arsye na dhemb shumë kur shohim se në organizimin e këtyre përkujtimoreve bëhen lëshime të rënda dhe mungon serioziteti që e meriton një ngjarje kaq e madhe historike.

Është e papranueshme që organizatorët të marrin shkrime të gatshme dhe të mos ulen as t’i verifikojnë ato që janë shkruar nga të tjerët. Pastaj dalin në skenë dhe i lexojnë ato tekste pa e ndier peshën e fjalëve dhe pa e kuptuar se po flitet për sakrificën dhe gjakun e dëshmorëve.
Ne nuk jemi kundër askujt, por nuk lejojmë që të shtrembërohet e vërteta e asaj lufte të shenjtë. Renditja dhe respekti duhet të jenë për dëshmorët, ish-ushtarët, invalidët dhe familjet e tyre.
Dëshmorët nuk janë vetëm emra në një listë. Ata janë bijtë tanë që nuk u kthyen më në shtëpi. Janë vëllezërit tanë, krenaria jonë dhe dhimbja jonë e përjetshme.

Për këtë arsye, si familje kemi reaguar, sepse përkujtimi i luftës duhet të bëhet me dinjitet dhe me respekt të vërtetë për ata që sakrifikuan jetën.
Sepse liria që gëzojmë sot nuk erdhi nga fjalët, por nga gjaku i dëshmorëve.

Trending