Gjykata Themelore në Tetovë ka reaguar ndaj reagimeve të ashpra publike lidhur me vendimin përfundimtar të dënimit në rastin e aksidentit të rëndë rrugor në të cilin humbi jetën e reja T.R. nga fshati Saraqinë. Përmes një deklarate, gjyqtarët e kësaj gjykate, anëtarë të Shoqatës së Gjyqtarëve të RMV-së, theksojnë nevojën për t’i informuar qytetarët drejt dhe me objektivitet për të mbrojtur integritetin e gjyqësorit dhe funksionimin e shtetit ligjor.
Në reagim, gjykata sqaron se rasti në fjalë ka kaluar nëpër disa faza gjyqësore dhe vendime të ndryshme, duke përfshirë edhe një vendim të Gjykatës së Lartë që ktheu rastin për rigjykim. Në rigjykim, i akuzuari u dënua me 2 vite burgim, një vendim që shkaktoi pakënaqësi në publik dhe reagime emocionale, por që, sipas gjyqtarëve, është marrë në përputhje të plotë me ligjin dhe provat e paraqitura.
Gjykata thekson se nuk është kompetencë e saj të komentojë ndjenjat publike, por vetëm të zbatojë ligjin, dhe çdo vendim është i arsyetuar në bazë të fakteve dhe rrethanave konkrete. Gjyqtarët gjithashtu shprehin shqetësim për sulmet dhe akuzat e padrejta që, sipas tyre, mund të cenojnë pavarësinë e gjyqësorit.
Ata kërkojnë nga publiku dhe mediat që të jenë të kujdesshme në raportimet dhe komentet që kanë të bëjnë me punën e gjykatave, duke theksuar se gjyqësori duhet të funksionojë pa presione për të garantuar drejtësi për të gjithë.