Trendy

Reagim i shpejtë i policisë në një rast të dhunës në familje, arrestohet 48-vjeçari

Para 1 orë

Pas publikimeve dhe informacioneve të shpërndara në rrjetet sociale lidhur me një rast të dhunës në familje, policia ka reaguar menjëherë duke ndërmarrë të gjitha masat e nevojshme për gjetjen e autorit dhe mbrojtjen e viktimave.
Më 29 maj 2026, rreth orës 11:40, në SPB Shkup një dëshmitar ka raportuar se në zonën e Qendrës një burrë kishte sulmuar fizikisht bashkëshorten e tij. Menjëherë pas denoncimit, policia ka nisur veprimet për identifikimin dhe kapjen e autorit, si dhe për mbrojtjen e viktimës. Gjatë hetimeve është konstatuar se personat janë nga Velesi, pas çka në kërkim janë përfshirë edhe zyrtarët policorë të SPB Veles.
Sipas informacioneve, pasi 48-vjeçari me inicialet J.B. dhe bashkëshortja e tij 43-vjeçare janë kthyer në shtëpinë e tyre, ai sërish ka ushtruar dhunë fizike ndaj saj dhe vajzës së tyre të mitur, duke i kërcënuar edhe me një mjet të mprehtë.
Falë reagimit të shpejtë dhe koordinimit mes SPB Shkup dhe SPB Veles, autori është privuar nga liria rreth orës 21:00. Mjeti i mprehtë është gjetur dhe sekuestruar, ndërsa i dyshuari është ndaluar në stacion policor.
Për rastin janë njoftuar prokurori publik dhe Qendra për Punë Sociale në Veles. Pas dokumentimit të plotë të ngjarjes, ndaj të dyshuarit do të ngrihet kallëzim përkatës.
Policia apelon që çdo rast i dhunës në familje të raportohet menjëherë tek organet kompetente, pasi reagimi i shpejtë mundëson mbrojtje më efektive të viktimave dhe parandalimin e pasojave më të rënda.

Trending