Trendy

Reagimi i fuqishëm i valltarit tetovar Remzi Matoshi: “Tradhtia ka emër!”

Para 11 muaj

Tetovë, 6 maj 2025 – Pas më shumë se tri dekada përkushtim në ruajtjen dhe promovimin e kulturës shqiptare, valltari i njohur tetovar, Remzi Matoshi, ka bërë një reagim emocional e të fuqishëm publik, duke ngritur zërin për mungesën e respektit institucional ndaj kontributit të tij dhe figurave të ngjashme.

Në një deklaratë publike, Matoshi u shpreh se ndjen një detyrim moral për të ndarë zhgënjimin e tij pas një rruge të gjatë me sakrifica si një nga katër shtyllat themelore të Ansamblit të Këngëve dhe Valleve të Shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut, një projekt kombëtar që lindi nga dashuria për traditën dhe identitetin.

Ai theksoi gjithashtu kontributin e tij si ish-ushtar i UÇK-së në Maqedoni, i motivuar nga ideali për liri, barazi dhe dinjitet. Megjithatë, përkundër këtij rrugëtimi, Matoshi tha se është lënë anash, pa vend pune dhe i harruar nga vetë ata që duhej të ishin gardianët e figurave me kontribut kombëtar.

“Në vend të respektit, mora heshtje. Në vend të përkrahjes, përjetova tradhti. Ata që heshtën apo bënë ‘telefonatën e fshehtë në Gostivar’, një ditë do të përballen me të vërtetën – sepse historia nuk fal dhe populli nuk harron,” – u shpreh Matoshi në deklaratën e tij.

Ai përmbylli reagimin me një mesazh të fortë: “Unë nuk ndalem. Shpirti im është në këngën dhe vallen shqiptare, në fjalën e pathënë dhe në idealin që nuk vdes kurrë. Tradhtia ka emër!”

Trending