Trendy

Reforma po, koalicion jo! Polemika për ndryshimet kushtetuese

Para 4 javë

Një fjali e vetme, thirrja e Venko Filipçes drejtuar Hristijan Mickoskit për “përgjegjësi të përbashkët” mbi ndryshimet kushtetuese mjaftoi që brenda njëzet e katër orësh të prodhojë tri lexime krejtësisht të ndryshme: ftesë për koalicion, akt patriotik, dhe dëshmi shantazhi nga Sofja. Tre lexime, tre të vërteta paralele, dhe një lider socialdemokrat që sot u zgjua t’ua shpjegojë qytetarëve se çfarë në të vërtetë donte të thoshte.

“ÇFARË QEVERIE E GJERË? KUSH FOLI PËR QEVERI DHE KOALICION?”

“Çfarë qeverie e gjerë? kush foli për qeveri dhe koalicion?”. Kështu reagoi sot lideri i LSDM-së, Venko Filipçe, pasi thirrja e tij e djeshme drejtuar kryeministrit Hristijan Mickoski për marrje të përbashkët të përgjegjësisë për ndryshimet kushtetuese për hir të së ardhmes së të rinjve dhe të shtetit u interpretua nga disa media si ftesë për një qeveri të gjerë. “E thashë qartë mbështetje për integrimet evropiane dhe reformat. Të hyjmë në koalicionin tender të Mickoskit? Nga i erdhi ndokujt në mendje një ide e tillë?”, shkroi Filipçe në një postim në platformën X.

Ai shtoi se partia e tij nuk negocion për fotelje dhe pozita, por flet për të ardhmen e Maqedonisë në Bashkimin Evropian. “Reforma tani. Pakicat në Kushtetutë tani. Evropa tani”, shtoi Filipçe.

Filipçe iu drejtua dje Mickoskit me apel që së bashku të marrin përgjegjësinë dhe ta ndajnë atë për zbatimin e ndryshimeve kushtetuese dhe më tutje për rrjedhën e negociatave dhe për çfarëdo sfide me të cilën do të përballemi. “Të mos e humbim momentin. Do të mbetemi jashtë të gjitha proceseve. Do të mbetemi zorra qorre e Ballkanit. Do të mbetemi pa buxhete. Nuk do të kemi nga çfarë të mbijetojmë këtu në shtet. Të rinjtë të gjithë do të largohen prej këtu nëse ndalet ky proces kështu”, deklaroi Filipçe. Ai theksoi se të gjithë faktorët politikë duhet të punojnë bashkërisht në procesin e integrimeve evropiane dhe shtoi se nuk ekziston rrezik për identitetin maqedonas.

KONTEKSTI EVROPIAN: LETRA E MERC-IT DHE VIZITA E KOSHTËS

Deklarata e tillë e Filipçes erdhi pasi kancelari gjerman Friedrich Merz, në një letër drejtuar liderëve të Bashkimit Evropian, bëri thirrje për zgjidhje inovative në përshpejtimin e procesit të zgjerimit, duke vendosur fokus të veçantë mbi Ukrainën, por edhe mbi vendet e Ballkanit Perëndimor dhe Moldavinë. Propozimi i Merc-it dërgohet vetëm pak javë para Samitit të Ballkanit Perëndimor në Mal të Zi, në fillim të qershorit. Në letër, Merz propozon një dinamikë të re të anëtarësimit në BE për kandidatët aktualë, Ukrainën, vendet e Ballkanit Perëndimor dhe Moldavinë.

Kjo, siç shkruan, sepse zgjerimi i Bashkimit Evropian është domosdoshmëri gjeopolitike, por edhe një proces që po zgjat tepër gjatë. Sipas Filipçes, edhe një sinjal i qartë se zgjerimi sërish është lart në agjendën e Unionit është vizita e paralajmëruar e presidentit të Këshillit Evropian, Antonio Kosta, në Maqedoni, e cila do të realizohet menjëherë para Samitit për Ballkanin Perëndimor në Podgoricë. Filipçe thotë se momenti aktual gjeopolitik paraqet një nga mundësitë më të rëndësishme që shteti të vazhdojë rrugën evropiane dhe të bëhet pjesë e procesit të zgjerimit të ri të Bashkimit Evropian.

VMRO: FILIPÇE DHE LSDM KANË QËNDRIM IDENTIK ME SOFJEN”

Partia në pushtet, VMRO-DPMNE, reagoi ashpër ndaj deklaratave të liderit të LSDM-së përmes një komunikate ku Venko Filipçen e cilëson si zëdhënës të interesave bullgare në kryeqytetin maqedonas. “Filipçe dhe LSDM, deri më sot, kanë qëndrim identik lidhur me ndryshimet kushtetuese me autoritetet bullgare, të udhëhequra pikërisht nga Rumen Radev”, thuhet në komunikatë. VMRO-DPMNE shkon edhe më tej në akuzat e veta, duke pretenduar se LSDM-ja ka harmonizuar plotësisht qëndrimet me Bullgarinë mbi çështje themelore identitare.

“Filipçe dhe LSDM kanë qëndrim identik me autoritetet bullgare se ne jemi ‘maqedonas verior’, se Goce Dellçevi është bullgar, por kur vjen puna te tema e ndryshimeve kushtetuese, këtu Bullgaria thotë qartë dhe me zë të lartë se kjo nuk është hapi i fundit që Maqedonia duhet ta dorëzojë për të bërë pjesë në familjen evropiane, ndërkohë që Filipçe i shantazhuar, për arsye të tij të njohura, i gënjen qytetarët se ky është hapi i fundit dhe se nesër do të bëhemi pjesë e BE-së”, thuhet në komunikatë.

Partia në pushtet akuzon LSDM-në për mungesë totale strategjie dhe për ekzekutim të agjendës së huaj. “Filipçe dhe LSDM, që nuk kanë asnjë vizion, program dhe koncept se si duhet udhëhequr një parti, e lëre më një shtet, ecin me kokë në mur dhe vihen në shërbim të autoriteteve bullgare, duke menduar se duke u kënaqur kërkesave të tyre do të vijnë në pushtet”, vazhdon teksti i komunikatës së VMRO-DPMNE-së. VMRO-DPMNE i bën thirrje Filipçes që, në vend që të ftojë për bashkim mbi ndryshimet kushtetuese që do të fusnin bullgarët në Kushtetutë, të rikthehet në pozicionin kombëtar.

“Në vend që Filipçe të thërrasë për bashkim për ndryshim të Kushtetutës me qëllim futjen e bullgarëve, mund të paktën një herë të qëndrojë në anën e Maqedonisë, në anën maqedonase, dhe t’i bashkohet VMRO-DPMNE-së në mbrojtje të interesave maqedonase”, thotë komunikata. Pjesa më e ashpër e komunikatës ngre një pyetje të drejtpërdrejtë mbi marrëdhëniet personale dhe politike të Filipçes me Sofjen. “Interesant është që kjo tezë për lidhjen e Filipçes me autoritetet bullgare vërtetohet pasi kemi folur qartë se ruajtësi i kolltukut të Zaevit, Venko Filipçe, është shantazhuar drejtpërdrejt nga politikanë bullgarë për t’i përhapur dhe zbatuar politikat e tyre në Maqedoni”, thuhet në komunikatë. VMRO-DPMNE mbyll me një pyetje që e konsideron vendimtare: Filipçe i ka borxh një përgjigje a është pjesë e misioneve bullgare në Shkup, për të cilat flet hapur ministrja bullgare Petrova Çamova? (koha.mk)

Trending