Shumica parlamentare ka refuzuar sot amendamentin e propozuar nga Aleanca për shqiptarët, i cili synonte të sqaronte në mënyrë të prerë se Ligji për përfaqësim të drejtë dhe adekuat buron nga detyrimet e dalë nga Marrëveshja e Ohrit. Kjo bëhet e ditur përmes një komunikate të ASh-së.
Në fjalën e tij, deputeti i Aleancës për Shqiptarët Halil Snopçe akuzoi shumicën se po vepron qëllimisht për të marginalizuar rëndësinë e Marrëveshjes së Ohrit dhe për të krijuar terren për të anashkaluar detyrimet e saj në të ardhmen. Ky refuzim u shërben atyre që e kanë hartuar dhe servuar ligjin, sepse synimi është që arritjet e Marrëveshjes së Ohrit të mos përmenden askund nënvizoi Snopçe.
Deputeti gjithashtu theksoi se një formulim i tillë do t’i konvenonte edhe partisë VLEN, duke shtuar se, nëse VLEN-i beson se ligji është i mirë, ata do të mund të deklaronin se po zbatojnë Marrëveshjen e Ohrit, në vend që ta shmangin atë. Gjatë debatit u ngritën edhe akuza ndaj opozitës se amendamentet e saj janë të dëmshme për shqiptarët. Deputeti Snopçe e quajti këtë akuzë absurde dhe nënvizoi se kërkesa për kuota të qarta dhe mekanizma garantues për përfaqësimin e drejtë dhe adekuat synojnë pikërisht mbrojtjen e të drejtave të komunitetit shqiptar.
Ai pyeti nëse VLEN-i mund të ketë një plan për të arritur mbipërfaqësimin e shqiptarëve me anë të këtij ligji, duke e cilësuar si të vetmen logjikë që mund të shpjegojë pse kërkesat për garanci më të forta konsiderohen të dëmshme për shqiptarët.
Sipas tij, balancuesi nuk kishte mekanizma për t’i ndalur keqpërdorimet që shqiptarët mos të deklaroheshin si maqedonas dhe anasjelltas, e sipas tij, as ligji për përfaqësim të drejtë dhe adekuat nuk do ta ndalojë këtë. Snopçe shtoi se edhe Komisioni i Venecias ka thënë se ky ligj nuk i shmang keqpërdorimet dhe nuk i eliminon problemet e balancuesit, që siç tha, ka një sër rekomandimesh që nuk janë zbatuar.
“Shumë referoheni te Komisioni i Venecias, ja çka janë rekomandimet e tij që nuk janë zbatuar. Të sigurohen mekanizma real për zbatimin e ligjit, pra e thotë Komisioni i Venecias, pastaj të ruhet balanca mes meritokracisë dhe përfaqësimit të drejtë dhe adekuat, të shmangen deklarimet në lidhje me deklarimin e përkatësisë etnike. Komisioni i Venecias thotë se ky ligj nuk i shmang keqpërdorimet”, tha Snopçe.(INA)










