Derisa ish-drejtuesit e Entit të Statistikave, Apostoll Simovski dhe Ilmi Selami, nuk kanë dalë publikisht për të sqaruar opinionin pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese që rrëzoi dispozitat për ndarjen e popullsisë në “rezidentë” dhe “jorezidentë” gjatë regjistrimit të vitit 2021, Bashkimi Demokratik për Integrim ka reaguar. Deputeti Blerim Bexheti, i pyetur nga Alsat nëse BDI ndjen përgjegjësi për atë që ndodhi gjatë kohës që ishte në pushtet, deklaroi se fajin e bart qeveria aktuale, e përbërë nga VMRO-DPMNE dhe partnerët shqiptarë të VLEN-it.
“Përgjegjësinë duhet ta kërkoni te vullneti politik i opozitës së atëhershme VMRO-DPMNE, tani pushtet që me një vendim të kryeministrit dhe anëtarëve të Qeverisë, Arben Fetai, Izet Mexhiti dhe të tjerët fshinë diasporën edhe nga karakteri etnik, politik edhe financiar. Të jemi të hapur deri në fund, ky vendim që ka nënshkruar kjo Qeveri e Hristijan Mickoskit, ka ulur përqindjen e shqiptarëve nga 29.50% në 24 e diçka përqind. Përgjegjësi morale, mbi të gjitha duhet të ketë e tërë qeveria, por mbi të gjitha ministrat shqiptarë duhet të ndjejnë një përgjegjësi aq të madhe saqë për aspekt moral dhe përgjegjësi politike”, deklaroi Blerim Bexheti, koordinator i Frontit Evropian.
Deputeti i Frontit Evropian, Skender Rexhepi i cili ishte dorëzues i iniciativës në Gjykatën Kushtetuese, thekson se qeveria aktuale në bazë ta ndarjes së popullatës rezident dhe jorezident, ka dëmtuar komunat shqiptare rreth 10 milionë euro. Sipas tij, për këtë duhet të ketë përgjegjësi. Rexhepi thekson që pavarësisht se ka qenë kundër ndarjes së popullatës në rezident dhe jorezident, BDI-ja asokohe ka bërë të pamundurën që të mos fshihet diaspora nga regjistrimi.
“Unë tash nga kjo prizëm konsideroj që qeveria e atëhershme në këtë rast BDI-ja e ka bërë të pamundurën që të jenë edhe diaspora të përfshirë, por megjithatë pavarësisht që unë kam qenë kundër, por konsideroj që nga ai konstelacion politik më mirë le të përfshihen si jorezident dhe të jenë të përfshirë se të mos përfshihen fare…Konsideroj nga ky këndvështrim që BDI ka qenë e detyruar mes dy të këqijave të zgjedh njërën më pak të keqe. Më pak e keqe ka qenë në këtë rast jorezident, por megjithatë të figurojë në përqindje. Ndërsa sot kjo qeveri fare nuk ka pasur t’i ndajë ato jorezident në çdo beneficion që duhet të marrin ato sepse përgjegjësitë, tatimin dhe të mirat që ia sjellë diaspora vendit brenda një viti është gati sa një e katërta e buxhetit të shtetit”, deklaroi Skender Rexhepi, deputet i Frontit Evropian.
Nga ana tjetër, Izet Mexhiti, por edhe përfaqësues të koalicionit VLEN, pas vendimit të kushtetueses theksojnë se me këtë është vërtetuar se operacioni i regjistrimit, i realizuar nga BDI ka fshirë shqiptarët. Opozita shqiptare është shprehur edhe kundër regjistrimit elektronik që e paralajmëron kryeministri Mickoski.










