Pas Shkupit, edhe rajoni i Tetovës – përfshirë Kumanovën, do të implementojë sistemin e avancuar të monitorimit “Safe City”. Ndërkohë që në Shkup vijon faza testuese, gjatë së cilës shoferët që tejkalojnë shpejtësinë marrin gjoba paralajmëruese, në Tetovë ka nisur vendosja e kamerave të reja për matjen e shpejtësisë dhe identifikimin e kundërvajtjeve. Kamerat tashmë janë duke u instaluar në të gjitha bulevardet kryesore, ndërsa në autostradën Tetovë–Shkup ato veprojnë prej kohësh. Sipas Sektorit për Punë të Brendshme, zbatimi i plotë i sistemit pritet të nisë nga shkurti i vitit 2026.
Zëdhënësi i SPB-Tetovë, Fatmir Rexhepi, tha për gazetën KOHA se vendosja e kamerave po zhvillohet me intensitet dhe se sistemi shumë shpejt do të zgjerohet në mbarë vendin.
“Së shpejti pritet implementimi në Tetovë dhe Kumanovë, ku puna për instalimin e pajisjeve është në fazë përfundimtare. Kamerat janë vendosur përgjatë Korridoreve 8 dhe 10 dhe shumë shpejt priten masa konkrete edhe në rajonin e Tetovës. Gjatë vitit të ardhshëm, sistemi ‘Safe City’ do të shtrihet në të gjithë territorin e shtetit”, deklaroi Rexhepi. Sipas tij, kamerat nuk do të kapin vetëm shkeljet për tejkalim të shpejtësisë, por një gamë të gjerë kundërvajtjesh të rrezikshme: tejkalim në vijë të plotë, parkim të parregullt në bulevarde dhe zona të ndaluara, përdorim i celularit gjatë ngasjes, mosvendosje e rripit të sigurisë, mosdhënie e përparësisë dhe çdo kundërvajtje tjetër e detektuar nga kamerat e sigurisë.
“Të gjitha shkeljet e konstatuara nga kamerat do të sanksionohen. Qëllimi është rregull dhe siguri më e madhe në komunikacion, pasi çdo ditë regjistrohen dhjetëra kundërvajtje”, shtoi Rexhepi.
Ministri i Punëve të Brendshme, Pançe Toshkovski, theksoi se sistemi nuk synon të ndëshkojë qytetarët, por të edukojë dhe të rrisë sigurinë rrugore. Në këtë drejtim, ai njoftoi se MPB-ja do të publikojë të gjitha lokacionet ku do të vendosen kamerat. Ai gjithashtu paralajmëroi miratimin e akteve nënligjore që do të përcaktojnë qartë kufijtë e lejuar të shpejtësisë për secilin aks rrugor. Edhe pse ishte planifikuar që gjobat të nisnin më 1 janar 2026, vendimi është shtyrë për pas 1 shkurtit 2026, në mënyrë që qytetarët të kenë kohë të adaptohen me sistemin e ri dhe të shmangin penalizimet e panevojshme.
(Urim Hasipi – Koha)










