Krerët e koalicioni VLEN nesër do të takohen me kryeministrin Hristijan Mickoski për të diskutuar rreth emrave dhe resorëve në prag të rikonstruimit të Qeverisë. Zëvendëskryeministri Arben Fetai në intervistën për Alsat u shpreh i sigurt se me këtë rikonstruim, nuk do të preket pozicioni i tij dhe i ministrit të Shëndetësisë Azir Aliu, ndërsa konfirmoi se Bekim Sali është propozim i tyre për zëvendëskryeministër të parë. Ministria e Ekologjisë, siç tha Fetai i takon Lëvizjes Demokratike, ndërsa ajo për Eurointegrime, Alternativës.
“Asnjë parti brenda VLEN-it nuk i ka fituar të gjitha kandidaturat që i kishte nëpër komuna. Ndarja në kuadër të koalicionit VLEN është një çerek i hises për secilin subjekt në çdo nivel. Qoftë në pozicione të emëruara, qoftë në çështje të tjera në të cilat bashkëpunojmë në kuadër të Komisionit Kadrovik, borde e kështu me radhë. Pra thoni që do t’i ruani këto pozita që i keni në qeveri? Po, po. Nuk ka asnjë arsyet të ndryshohet asgjë. Unë besoj që beteja që e kemi bërë si Aleancë për Shqiptarët që arriti të ruaj shumicën dërmuese të strukturave dhe prodhoi këtë rezultat bashkë me partnerët tjerë të koalicionit VLEN”, deklaroi Arben Fetai, VLEN.










