Edicioni i tretë i Forumit Studentor do të mbahet më 9 maj në CoWork21 në Shkup nën organizimin e Forumit për Ndryshime në Arsim (FNA), raporton Portalb.mk.
Këtë vit, kjo ngjarje vjetore e cila në fokus ka studentët pritet të vijë në format dhe aktivitete të reja.
Programi i këtij edicioni është ndërtuar me kujdes, duke pasur parasysh që FNA-ja është organizatë e udhëhequ nga të rinj.
“E dimë mirë çfarë do dhe çfarë nuk do rinia sot, ndaj jemi kujdesur që asnjë aktivitet të mos jetë formal apo i mërzitshëm”, thonë nga FNA.
Pjesëmarrësit do të kenë mundësi të zgjedhin një prej tre punëtorive të shkurta, do të ketë edhe diskutime interaktive në formatin “fireside chat“, debate me përfaqësues nga i gjithë Ballkani Perëndimor, si dhe pjesa argëtuese me muzikë dhe biseda
“Këtë vit kemi edhe dy shtesa që i japin edicionit një dimension tjetër. Për herë të parë do të shfaqet ekspozita “Resistance”, me intervista të 11 aktivistëve nga i gjithë rajoni që kanë bërë punë kreative guerile për ndryshim. Dhe gjatë forumit do të promovohet edhe doracaku ynë me 22 kolumna të shkruara ekskluzivisht për FNA-në, të gjitha me fokus në ndryshimet në arsim dhe të rinjtë. Ideja është që çdo pjesëmarrës të dalë me diçka, qoftë një perspektivë e re, një lidhje e re, ose thjesht një përvojë që ia vlen”, thonë nga FNA.
Forumi Studentor nuk është vetëm një ngjarje lokale apo shtetërore, por rajonale. Ashtu edhe folësit, pjesa më e madhe prej tyre janë nga shtete si Mali i Zi, Bosnja dhe Hercegovina, Serbia, Kosova dhe Shqipëria.
“Por ajo që i bën folësit e këtij edicioni të veçantë nuk është vetëm vendi nga vijnë. Të gjithë janë njerëz që përditë merren me aktivizëm, luftojnë për arsim më cilësor dhe shtete pa korrupsion. E përbashkëta e tyre është pikërisht tema qendrore e forumit, dinjiteti, dhe mënyra si e jetojnë dhe e mbrojnë atë çdo ditë. Kjo është arsyeja pse perspektivat e tyre do të jenë jo vetëm informuese, por edhe frymëzuese”, thonë nga FNA.
Forumi Studentor është i hapur për të gjithë dhe hyrja është falas.
“Por pjesëmarrja këtë vit nënkupton më shumë se të qenit prezent. Studentët kanë qenë të kyçur në procesin e ndërtimit të forumit, nga përzgjedhja e folësve dhe tematikave deri te playlist-a e muzikës që do të dëgjohet gjatë ngjarjes. Sepse besojmë që një forum studentor duhet të ndërtohet nga studentët, jo vetëm për ta”, thonë nga FNA.
Kujtojmë që edicioni i parë i Forumit Studentor u mbajt në mars 2024 ndërsa edicioni i dytë në maj 2025.










