Trendy

Rinia u “shkruan ultimatumin” kandidatëve për kryetarë komunash

Para 8 muaj

Rinia në Maqedoni po përballet me qasje të kufizuar në shërbime, pjesëmarrje të ulët në jetën publike dhe mosbesim në institucione. Më shumë se dy të tretat e të rinjve mendojnë se nuk janë të përfshirë siç duhet në procesin e vendimmarrjes, ndërsa 70% nuk tregojnë interes për politikën.

Për shkak të nivelit të lartë të papunësisë, arsimit joadekuat, mungesës së shërbimeve shëndetësore miqësore për të rinjtë, mungesës së mbështetjes institucionale dhe hapësirave të sigurta publike, si dhe korrupsionit, shumë të rinj detyrohen të kërkojnë perspektivë jashtë vendit. Kështu paralajmëron organizata joqeveritare HERA, me rastin e Ditës Ndërkombëtare të Rinisë.

Në prag të zgjedhjeve lokale, organizatat rinore kanë dalë me një listë kërkesash për kandidatët për kryetarë komunash, duke kërkuar që rinia të mos trajtohet si grup margjinal për raportim formal, por si partnerë të barabartë në marrjen e vendimeve dhe ndërtimin e së ardhmes. “Të rinjtë nuk janë vetëm e ardhmja. Ata janë motorët e ndryshimit – këtu dhe tani”, theksojnë nga HERA.

23,7% e të rinjve as nuk shkollohen, as nuk punojnë

Sipas të dhënave zyrtare, 23,7% e të rinjve nga mosha 15 deri në 29 vjeç nuk janë as në arsim, as të punësuar, as në ndonjë trajnim – një përqindje shumë mbi mesataren evropiane dhe një sinjal serioz i moskujdesit sistematik për këtë gjeneratë.

Një studim për pjesëmarrjen socio-politike të të rinjve në Maqedoni tregon se gjysma e tyre (51,4%) besojnë se autoritetet nuk kujdesen fare për nevojat dhe problemet e tyre, ndërsa vetëm 1,1% mendojnë se kujdesi është i plotë. Tre të katërtat (73,7%) nuk kanë qenë asnjëherë të përfshirë apo konsultuar nga institucionet lokale ose kombëtare në vendimmarrje. Po ashtu, 74,4% nuk janë pjesë e asnjë organizate apo forme të organizimit.

Edhe pse Ligji për Pjesëmarrjen Rinore dhe Politikat Rinore është në fuqi që nga viti 2020, zbatimi i tij në nivel lokal është minimal – vetëm 19 komuna kanë krijuar këshilla rinorë lokalë, ndërsa strategji rinore janë miratuar vetëm në 7 komuna. Ndërkohë, një numër i madh të rinjsh përballen me mungesë hapësirash publike, izolim kulturor dhe mungesë të arsimit joformal dhe mentorimit.

Gjendje alarmante me shëndetin mendor

Situata e shëndetit mendor është po aq shqetësuese: 64% e vajzave 15-vjeçare raportojnë dy ose më shumë probleme psikosomatike të paktën një herë në javë, ndërsa 53% të kësaj grupmoshe kanë gjendje depresive. Dhuna gjithashtu është në rritje, duke kërkuar programe urgjente për përmirësimin e shëndetit mendor të fëmijëve dhe të rinjve.

“Largimi i të rinjve nga vendi nuk do të zgjidhet me fushata patriotike dhe thirrje për lindje fëmijësh”, – theksojnë nga HERA.

Thirrje për dialog dhe veprim konkret

Në prag të zgjedhjeve lokale, kandidatët për kryetarë komunash dhe këshilltarë ftohen të hartojnë programet zgjedhore në konsultim të drejtpërdrejtë me të rinjtë. Kërkesat përfshijnë: krijimin e këshillave rinorë funksionalë në çdo komunë, buxhet të veçantë për politikat rinore, hapësira publike të sigurta dhe falas për nisma rinore, mbështetje për punësimin e të rinjve, shërbime lokale për shëndetin mendor dhe përfshirjen e të rinjve në hartimin e strategjive lokale të zhvillimit.

Sipas HERA-s, zgjidhja kërkon investime konkrete, të matshme dhe afatgjata në potencialin dhe kushtet e jetesës së të rinjve. “Pikërisht pushteti lokal është linja e parë e kontaktit me të rinjtë dhe aty duhet të fillojnë ndryshimet reale”, thuhet në reagim.

Edhe Seksioni i të Rinjve i SSM kërkon kushte më të mira për punësim, duke propozuar rritjen e pagave dhe kufizimin e kontratave me afat nga 5 në 1 vit, në mënyrë që të mundësohet kalimi më i shpejtë në marrëdhënie pune pa afat. Sipas tyre, vetëm kështu do të frenohet ikja e trurit dhe të rinjtë do ta shohin perspektivën e tyre brenda vendit.

Linku:

http://dw.com/p/4yr7e

Trending