Ministria e Mbrojtjes e Izraelit ka njoftuar se brenda vetëm 24 orëve të fundit kanë mbërritur në vend 6.500 ton pajisje ushtarake dhe municione, kryesisht nga Shtetet e Bashkuara.
Dërgesa e madhe përfshin municione ajrore dhe tokësore, si dhe mjete të lehta të blinduara. Transporti është kryer me dy anije mallrash dhe disa aeroplanë transporti.
Pas shkarkimit në portet kryesore, pajisjet u dërguan menjëherë në bazat ushtarake të Forcave të Mbrojtjes të Izraelit (IDF) në të gjithë vendin.
Ministri i Mbrojtjes, Israel Katz, tha se këto furnizime janë pjesë e një përpjekjeje të vazhdueshme për të mbajtur ushtrinë izraelite plotësisht të gatshme.
“Qëllimi ynë është të sigurojmë që IDF të ketë të gjitha mjetet e nevojshme, në mënyrë që të mund të kthehet në veprim me forcë të plotë kundër armiqve tanë, në çdo kohë dhe në çdo vend ku kërkohet”, theksoi Katz.
Kjo dërgesë vjen në një moment kur tensionet me Iranin mbeten të larta. Pas një periudhe luftimesh direkte midis Izraelit, SHBA-së dhe Iranit u vendos një armëpushim i cili duket se mund të skadojë shumë shpjet.
Megjithatë, në ditët e fundit zyrtarë të lartë izraelitë, përfshirë vetë Ministrin Katz, kanë deklaruar se Izraeli është i përgatitur për të rinisur operacionet ushtarake kundër Iranit sapo të marrë miratimin nga Shtetet e Bashkuara.
Trending










