Fëmijët e moshave shkollore në Dibër, në një pjesë të konsiderueshme të tyre, po përballen me probleme shëndetësore pikërisht për shkak të çantave të rënda, por edhe nga qëndrimi jo adekuat. Mjekët thonë se në vitet e fundit është vërejtur një rritje shqetësuese e problemeve me shtyllën kurrizore te fëmijët e moshës 6 deri në 14 vjeç. Sipas tyre, po hasen gjithnjë e më shpesh raste me dhimbje shpine, shpatulla të përkulura dhe shenja të para të deformimeve të shtyllës kurrizore. Faktorët kryesorë që ndikojnë në këtë fenomen lidhen drejtpërdrejt me jetën shkollore, si çantat e rënda dhe qëndrimi i gjatë në bankat e shkollës, por edhe qëndrimi i zgjatur para ekraneve televizive apo pajisjeve të tjera, si dhe mungesa e aktiviteteve fizike.
Shumë nxënës detyrohen të mbajnë çdo ditë çanta të mbushura me libra, fletore dhe mjete shkollore, të cilat shpesh peshojnë më shumë sesa duhet për trupin e tyre ende në zhvillim. Mjekët theksojnë se mbajtja e peshave të rënda për periudha të gjata mund të ndikojë negativisht në formimin e shtyllës kurrizore, duke shkaktuar shtrembërime të shpinës, lodhje të muskujve dhe, në raste më të rënda, edhe deformime të përhershme.
Mjeku pediatër në Dibër, Arben Agolli, thotë se në ordinancën e tij “Pediatria D”, gjatë vitit të kaluar, respektivisht 2025, kanë pasur gjithsej rreth 400 pacientë fëmijë të moshës nga 6 deri në 14 vjeç për kontrolle në lidhje me deformimet. “Nga këto kontrolle, në 5 deri në 6 përqind të rasteve kemi vërejtur deformime të shtyllës kurrizore te fëmijët, së bashku me kolegun tim, pediatrin Ylber Kokale. Kjo përqindje në dekadën e fundit është pothuajse standarde, por në krahasim me vitet më parë ka një rritje të numrit të fëmijëve me deformime. Më pas këta pacientë i dërgojmë te ortopedi, të cilët vazhdojnë trajtimet e mëtejshme”, thotë pediatri Arben Agolli.
Sipas bashkëbiseduesit tonë, përveç çantave të rënda, faktor tjetër shqetësues është qëndrimi i zgjatur në bankat e shkollës. Bankat dhe karriget shpesh nuk janë të përshtatura sipas gjatësisë dhe moshës së fëmijëve, duke i detyruar ata të ulen në pozicione jo të rregullta. Orë të tëra të kaluara ulur, pa pushime të mjaftueshme për lëvizje, ndikojnë në qëndrimin e trupit dhe në krijimin e zakoneve të gabuara posturale. Me kalimin e kohës, këto zakone mund të çojnë në deformime të shtyllës kurrizore dhe probleme serioze shëndetësore.
Mjekët rekomandojnë që pesha e çantës së shkollës të mos e kalojë një përqindje të caktuar të peshës trupore të fëmijës. Po ashtu, këshillohet që çantat të mbahen gjithmonë në të dy supet, për të shmangur ngarkesën e pabarabartë të shtyllës kurrizore. Një rol të rëndësishëm ka edhe edukimi i fëmijëve për qëndrimin e drejtë të trupit, si dhe inkurajimi i aktivitetit fizik. Ushtrimet e lehta, sporti dhe lëvizja e rregullt ndihmojnë në forcimin e muskujve të shpinës dhe në ruajtjen e një posture të shëndetshme. Njëherësh, mjekët sugjerojnë që fëmijët të mos kalojnë orë të gjata ulur pa pushim dhe të kenë aktivitete fizike edhe pas mësimit. Prindërit shprehin shqetësimin se fëmijët e tyre ankohen gjithnjë e më shpesh për dhimbje shpine dhe qafe pas kthimit nga shkolla.
Mjekët potencojnë se fenomeni i deformimeve të shtyllës kurrizore te fëmijët është një alarm për prindërit. Me vizita në kohë te pediatri dhe me zbulim të hershëm të shenjave të deformimit, mund të arrihen rezultate dhe të parandalohet përhapja e këtij problemi, duke siguruar një rritje të shëndetshme për brezat e ardhshëm. (koha.mk)










