Të paktën 104 palestinezë u vranë në një valë sulmesh izraelite në Gaza të martën në mbrëmje, thotë ministria e shëndetësisë e territorit e drejtuar nga Hamasi.
Ushtria izraelite tha se goditi “dhjetëra objektiva terroristësh dhe terroristë” në përgjigje të shkeljeve nga Hamasi të marrëveshjes së armëpushimit të ndërmjetësuar nga SHBA-të.
Ministri i mbrojtjes i Izraelit akuzoi Hamasin për një sulm në Gaza që vrau një ushtar izraelit dhe për shkelje të kushteve për kthimin e trupave të pengjeve të vdekur. Hamasi tha se nuk kishte “asnjë lidhje” me sulmin dhe ishte i përkushtuar ndaj marrëveshjes.
Presidenti amerikan Donald Trump mbajti qëndrimin se “asgjë” nuk do të rrezikonte armëpushimin, por shtoi se Izraeli duhet të “kundërsulmojë” kur ushtarët e tij të jenë në shënjestër.
Sulmet izraelite goditën shtëpi, shkolla dhe blloqe banimi në Qytetin e Gazës dhe Beit Lahia në veri të Gazës, Bureij dhe Nuseirat në qendër, dhe Khan Younis në jug.
Dëshmitarët në Qytetin e Gazës përshkruan se panë “shtylla zjarri dhe tymi” që ngriheshin në ajër ndërsa shpërthimet tronditën disa zona banimi.
Ministria e shëndetësisë e Gazës tha se gjithsej 104 persona u vranë, përfshirë 46 fëmijë dhe 20 gra, dhe se më shumë se 250 të tjerë u plagosën.
Tre gra dhe një burrë u nxorën nga rrënojat e shtëpisë së familjes al-Banna në lagjen jugore Sabra të qytetit të Gazës, sipas agjencisë së Mbrojtjes Civile të drejtuar nga Hamasi.
Në kampin urban të refugjatëve Bureij, pesë anëtarë të familjes Abu Sharar u vranë në një sulm ndaj shtëpisë së tyre në zonën e Bllokut 7, tha ajo.
Pesë persona të tjerë u vranë kur avionët shënjestruan një automjet në një rrugë në veriperëndim të Khan Younis, shtoi agjencia.








